Ballina Opinion Albanian Files ” Kryeministri midis Perandorit edhe Gangsterit!

Albanian Files ” Kryeministri midis Perandorit edhe Gangsterit!

69
0

Nga Irena Beqiraj 

Një fjalim politik zgjat disa minuta. Një artikull gazete merr po ashtu pak kohë. Edhe një libër i shkëlqyer zë sërisht një pjesë të vogël të jetës së lexuesit . Ndërtesat funksionojnë ndryshe. Rruga jashtë shtëpisë na ndikon çdo ditë. Sheshi ku takohemi me miqtë ndikon tek ne pa zhurmë. Vetë qyteti bëhet pjesë e peizazhit tonë mendor, ku pa kuptuar na formëzon perceptimet e bukurisë, rendit, përkatësisë dhe komunitetit.
Arkitektura njihet për aftësitë unike që ka për t’i përcjellë publikut qëllimet e atyre janë në pozita autoriteti.
Guri i themelit në mënyrën e jetesës së grekëve të lashtë ishte besimi se bukuria dhe rendi shoqëror ishin të pandashëm. Ata e barazonin superioritetin moral me bukurinë në të gjitha format. Shekuj më vonë, romakët pushtues, ndërsa u ndikuan shumë nga grekët, e përdorën arkitekturën më shumë si një shprehje të prejardhjes dhe pushtetit me grusht të hekurt perandorak. Shprehja e këtij vizioni u pa kudo, por ndoshta askund më qartë sesa në luksin dhe madhështinë e arkitekturës së tyre publike. Këto struktura kishin për qëllim të bënin përshtypje, duke thelluar ndër të tjera , hendekun midis elitës sunduese dhe njerëzve të thjeshtë nën kontrollin e tyre.
Sikurse dizajni fashist gjerman, rus dhe italian më këtej viteve 1930 kishte më shumë të përbashkëta me perandorët e Romës Perandorake dhe monarkët e Europës dinastike, sesa me idealet më egalitare apo utopike të ideve moderniste të zhvillimit në atë kohë.
E pra paralelet midis pushtetit qeveritar dhe estetikës arkitekturore nuk janë asgjë e re. Prandaj, mund të shohim më shumë theks tek arkitektura në vendet e periudhat më autokratike, ku vendimmarrësit ushtrojnë pushtet diskrecionar me kontrolle dhe balanca të dobëta.
“Albanian Files” libri që Kryeministri Rama tundi përpara gazetares së CNN -it si provë e zhvillimit është një përmbledhje e rrëfimeve të arkitektëve më të mirë të botës të zgjedhur pa garë nga Kryeministri ; të paguar sa kanë kërkuar nga investitorë të cilët po ashtu kanë përfituar tokë publike edhe lehtësi administrative edhe fiskale pa garë po sërisht nga Kryeministri , ai libër nuk është gjë tjetër veçse prova se Kryeministri kërkon ti vesh petkun e zhvillimit qasjes së tij prej Perandori Romak.
Ai libër nuk është gjë tjetër veçse celebrimi i pushtetin të supozuar të një njeriu, më shumë sesa tregues i zhvillimit të vendit të cilit ai u zgjodh për t’i shërbyer.
Ai libër është prova se arkitektura është përdorur si mjet për të siguruar mbështetje për status quo-në duke përdorur estetikën në vend të zhvillimit . Ndërkohë sipas hetimeve edhe dosjeve të publikuara të SPAK del se tek investitorët që Kryeministri zgjidhte për të jetësuar vizionin e tij nuk mungonin pastruesit e parave të pista të drogës .
Ndërsa ky fluks parash ka rritur ofertën monetare 2.5 herë më shpejt se rritja ekonomike edhe inflacioni i ulët duket i qëndrueshëm, kjo situatë ekonomike krijon dobësi strukturore me kalimin e kohës pasi likujditeti i tepërt i gjen rrugën e tij në tregjet e pasurive të paluajtshme në vend të mallrave të konsumit. Kjo shkakton inflacion rritje të çmimeve të ndërtesave në vend të inflacionit tradicional, duke krijuar një ndjenjë të rreme stabiliteti në ekonominë reale.
Qualis artifex pereo!”
“Çfarë artisti po humbet bota me mua”- tha Neroni para se të vetëvritej .
Kryeministri ynë artist ka harruar se është vetëm një administrator i përkohshëm, edhe prirja e tij për shkëlqimin dhe shkallën perandorake nuk e bën Neron . Megjithëse veprimet e tij janë veprimet e një njeriu që ka harruar, ose nuk i intereson, pse ,si, dhe për kë është në atë detyrë ai sërisht nuk është Perandor.
Ekziston një thënie që ka udhëheqës që preferojnë të kërkojnë falje më shumë sesa të marrin leje .
Kryministri ynë i zhurmshëm, impulsiv, i pamatur nuk mund të bëj asnjë nga këto të dyja . Ai vështirë se meriton titullin politikan, patriot, apo edhe udhëheqës. Ai është një gangster që luan shpëtimtarin i cili ka vendosur të jetësojë emrin e tij me godinat e larta të ndërtuara me paratë e drogës, (për disa edhe të bukura) por me dëme të parikuperueshme ekonomike edhe psikologjike për shoqërinë tonë .