Nga Rigels Selmani
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që kanë mbërthyer vendin prej më shumë se tre javësh, ndërsa ka deklaruar se një pjesë e klimës së tensionuar politike dhe perceptimit negativ në rrjetet sociale ndikohet nga algoritmet, të cilat sipas tij, amplifikojnë përmbajtjet konfliktuale dhe nxisin reagime më të forta emocionale. Por kjo ngre një pyetje të rëndësishme: a janë algoritmet shkaku i pakënaqësisë, apo thjesht pasqyra e saj?
Sa herë që qytetarët protestojnë, sa herë që kritikat ndaj qeverisë dhe klasës politike në Shqipëri shtohen dhe zemërimi publik bëhet më i dukshëm, del në skenë debati për algoritmin. Sikur revolta të mos buronte nga problemet reale të njerëzve, por nga një mekanizëm dixhital që manipulon opinionin publik. Sikur vështirësitë ekonomike, emigracioni, korrupsioni apo mungesa e besimit te institucionet të ishin thjesht produkte të rrjeteve sociale.
Por algoritmi nuk krijon pakënaqësi nga hiçi. Ai mund të përhapë më shpejt një mesazh, por nuk mund të shpikë një problem që nuk ekziston. Nuk mund të mbushë sheshet me protestues nëse nuk ka arsye që i nxjerr ata në rrugë. Nuk mund të krijojë zemërim aty ku qytetarët ndihen të dëgjuar dhe të përfaqësuar.
Kur pushteti fillon të kërkojë shpjegime te algoritmet, rrezikon të anashkalojë shkakun e vërtetë të problemit. Është më e lehtë të fajësosh teknologjinë sesa të përballesh me kritikat. Është më e lehtë të flasësh për ndikimin e rrjeteve sociale sesa të reflektosh mbi arsyet pse kaq shumë qytetarë ndihen të pakënaqur.
Historia ka treguar se protestat nuk lindin nga teknologjia, por nga problemet reale. Teknologjia mund të jetë megafoni, por nuk është zëri. Algoritmi mund të përshpejtojë përhapjen e një mesazhi, por nuk është ai që krijon arsyen e revoltës.
Në fund, nëse vërtet problemi qenka algoritmi, atëherë mbetet vetëm një thirrje: “Edi, kape algoritmin!”. Kape sa nuk ka ikur më larg. Kape para se të fluturojë si një karotë gjigante mes satelitëve digjitalë “Albania 1” dhe “Albania 2”, që i ke hedhur në hapësirë për t’i treguar botës Shqipërinë e së ardhmes. Por kujdes: sa më shumë ta ndjekësh algoritmin, aq më shumë ai largohet. Sepse problemet e qytetarëve nuk ndodhen në orbitë, mes satelitëve dhe teknologjisë, por këtu në tokë, aty ku njerëzit jetojnë, punojnë, protestojnë dhe kërkojnë përgjigje. Ndoshta nuk është algoritmi ai që duhet kapur, por realiteti që ai po pasqyron.







