Dhjetëra qytetarë kane nisur te denoncojnë pamundësinë për të marrë shërbimet e Hipotekës për shkak të mosfunksionimit të sistemit online, gjë që krijon vonesa dhe vështirësi në procedurat që lidhen me pronat.
Qytetarët thonë se prej ditësh nuk arrijnë të aplikojnë apo të marrin dokumentet e nevojshme përmes platformave elektronike. Sipas tyre, problemet teknike po i lënë pa zgjidhje, ndërsa askush nuk jep një afat të qartë për rikthimin e shërbimit në normalitet.
Qytetarët ngrenë pikëpyetje të forta mbi funksionimin e sistemeve të administruara nga AKSHI, institucion që ndër vite ka përfituar fonde të konsiderueshme për dixhitalizimin e shërbimeve publike. Ata shprehen se, pavarësisht investimeve shumë milionëshe të deklaruara, në momentet kur kanë nevojë për shërbim, sistemet rezultojnë të bllokuara ose jashtë funksionit.
Mosfunksionimi i shërbimeve online sjell pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, të cilët detyrohen të presin pa afat për dokumente dhe procedura të rëndësishme që lidhen me pronësinë.







