Ballina Rajoni Ish-ushtari i UÇK-së i përgjigjet Ali Ahmetit: Dikur na quaje çlirimtarë, sot...

Ish-ushtari i UÇK-së i përgjigjet Ali Ahmetit: Dikur na quaje çlirimtarë, sot tradhtarë!

83
0

Një reagim i fortë ka ardhur nga ish-ushtari i UÇK-së nga Struga, Skënder Mazari, pas deklaratës së liderit të Ali Ahmeti, i cili tha se pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar në Tiranë janë “tradhtarë të kombit”.

Mazari kujton se gjatë konfliktit të vitit 2001, ai dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë cilësoheshin “çlirimtarë” nga vetë Ahmeti, ndërsa sot po etiketohen ndryshe për shkak të qëndrimeve politike.

“Ali, në vitin 2001 ne, bashkë me shumë bashkëluftëtarë të tjerë të zonës sime, quheshim çlirimtarë po nga ti. Të hedhësh poshtë kontributin dhe vlerat e secilit për interesa të ngushta politike të bën të pabesueshëm edhe për vetveten”, shprehet Mazari.

Ai i kërkon Ahmetit të tërhiqet nga politika, duke deklaruar se “është koha të dalësh në pension dhe të ulesh pranë oxhakut të pleqërisë”.

Në reagimin e tij, Mazari thekson se ish-luftëtarët kanë qenë gjithmonë aty ku ka pasur nevojë kombi dhe se nuk do të hezitojnë të jenë të pranishëm edhe në Tiranë nëse e konsiderojnë të nevojshme për mbrojtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar.

“Ne kemi zot kombin dhe udhërrëfyes flamurin”, përfundon mesazhi i ish-ushtarit të UÇK-së, i cili e mbyll reagimin me përshëndetjen: “Të fala nga Struga”.