Banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, iu drejtua protestuesve me një mesazh ku theksoi se protesta nuk ka përfaqësues dhe se askush nuk ka të drejtë të flasë apo të marrë vendime në emër të qytetarëve që janë në shesh.
Duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve, Kokaj tha se ata kanë arritur të “thyejnë algoritmin” e kryeministrit Edi Rama dhe se kjo është vetëm fillimi.
“Keni thyer algoritmin e kryeministrit që ishte mbret prej 13 vitesh. Puna jonë nuk ka mbaruar. Duhet të vazhdojmë dhe ta thyejmë edhe më shumë. Të futemi në lëvizje dhe të shpërndajmë pankartat që janë në shesh, që t’i tregojmë se jemi më kreativë, më artistë e më piktorë se ai”, u shpreh ajo.
Sipas Kokajt, jehona që protesta ka marrë në mediat ndërkombëtare është dëshmi se kreativiteti dhe energjia e qytetarëve mund të arrijnë atë që, sipas saj, pushteti përpiqet ta blejë me miliona.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo dha një mesazh të qartë për mënyrën e organizimit të protestës.
“Një thirrje për të gjithë ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën. Askush nuk ka të drejtë në emrin tuaj, askush nuk ka të drejtë të bëjë grupe e mbledhje në emrin tuaj”, deklaroi Luçiana Kokaj, duke theksuar se protesta mbetet një lëvizje qytetare pa përfaqësues të vetëshpallur.







