Ballina Aktualitet Shtyhet deri më 30 korrik afati për projektin e stadiumit “Niko Dovana”

Shtyhet deri më 30 korrik afati për projektin e stadiumit “Niko Dovana”

142
0

Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka shtyrë deri më 30 korrik 2026 afatin për dorëzimin e aplikimeve në garën ndërkombëtare për projektin “Rijetëzimi i Stadiumit ‘Niko Dovana’” në Durrës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë AIC, e cila njofton se investitorët e interesuar do të kenë edhe një muaj kohë shtesë për të paraqitur ofertat e tyre.

Projekti synon transformimin e stadiumit ekzistues në një kompleks multifunksional, ku krahas impiantit sportiv parashikohen edhe zhvillime me funksione tregtare, hotelerie, zyrash dhe shërbimesh, sipas modelit të partneritetit me investitorë privatë.

Zgjatja e afatit vjen pasi AIC rihapi garën me kushte të ndryshuara krahasuar me thirrjen e parë. Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me pjesën e sipërfaqes që duhet t’i kalojë shtetit. Në dokumentet e reja, kërkesa minimale është ulur nga 45% në 35%, një ndryshim që synon ta bëjë projektin më tërheqës për investitorët privatë.

Projekti i stadiumit “Niko Dovana” është një nga zhvillimet më të mëdha urbane të planifikuara në Durrës. Ai parashikon ndërtimin e një stadiumi modern të integruar me zhvillime të pasurive të paluajtshme, ndërsa investitori fitues do të marrë përsipër financimin dhe realizimin e projektit në përputhje me kriteret e përcaktuara nga AIC.