Cili është sekreti i një jete të gjatë? Përgjigjen mund ta kenë tre motra nga Brazili, të cilat së bashku numërojnë plot 316 vite jetë dhe këtë muaj u njohën nga Guinness World Records si treshja më e moshuar e motrave që jetojnë në botë.
Zulina de Deus Nunes (103 vjeçe), Zoraide de Deus Mota (104 vjeçe) dhe Levita de Deus Nunes (109 vjeçe), që jetojnë në Rio de Janeiro, janë bërë pjesë e projektit shkencor DNA Longevo, i udhëhequr nga studiuesja Mayana Zatz e Universitetit të Sao Paulos.
Qëllimi i projektit është të zbulojë faktorët biologjikë dhe gjenetikë që ndikojnë në plakjen e shëndetshme dhe jetëgjatësinë. Shkencëtarët besojnë se studimi i ADN-së së motrave mund të ndihmojë në zbulimin e arsyeve pse disa njerëz arrijnë mosha shumë të avancuara duke ruajtur shëndetin fizik dhe aftësitë njohëse.
“Me analizat e ADN-së kërkojmë gjenet mbrojtëse dhe e dimë se ekzistojnë disa prej tyre. Sa më shumë persona mbi 100 vjeç, veçanërisht familje me disa njëqindvjeçarë, të studiojmë, aq më të sakta do të jenë rezultatet tona”, u shpreh Mayana Zatz, drejtuese e Qendrës së Kërkimeve të Gjenomit Njerëzor në Universitetin e Sao Paulos.
Në kuadër të studimit, shkencëtarët do të krahasojnë ADN-në e personave mbi 90 dhe 100 vjeç me atë të njerëzve që kanë zhvilluar sëmundje kronike, dobësi fizike ose probleme me kujtesën, për të identifikuar karakteristikat gjenetike që lidhen me jetëgjatësinë.
Sipas studiuesve, faktorët e trashëguar gjenetikë mund të kenë një rol edhe më të madh sesa mjedisi në ruajtjen e shëndetit në moshë të thyer.
Edhe Ben Meyers, drejtori ekzekutiv i organizatës LongeviQuest, thekson se fakti që tre motra kanë arritur këto mosha është një tregues i fortë i ndikimit të gjeneve.
“Kur tre motra arrijnë një moshë të tillë, është e qartë se ekziston një komponent i fortë gjenetik. Por duke jetuar pranë njëra-tjetrës, ato kanë pasur edhe mbështetjen e familjes, e cila gjithashtu ka rëndësinë e saj,” tha ai.
Vetë motrat ia atribuojnë jetëgjatësinë ushqimit të shëndetshëm dhe një jete aktive. Zulina kujton se në fëmijëri kalonte ditët duke notuar dhe peshkuar në lumenj.
“Çdo gjë ishte e freskët. Atëherë nuk kishim frigorifer,” rrëfen ajo.
Ndërsa Zoraide shton se edhe ushqyerja me gji luan një rol shumë të rëndësishëm për shëndetin.
Secila prej tyre ka bërë një jetë të zakonshme. Levita ka punuar si artizane dhe më pas në një televizion, Zoraide ka qenë infermiere dhe ka rritur pesë fëmijë, ndërsa Zulina është kujdesur për familjen dhe ka rritur gjashtë fëmijë.
“Kam pasur një fëmijëri dhe rini shumë të bukur. Nuk kam asgjë për t’u ankuar,” thotë Levita.
Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen të përfshijnë rreth 500 persona mbi 100 vjeç në projekt, me synimin për të kuptuar më mirë mekanizmat gjenetikë që mbrojnë zemrën, muskujt dhe funksionet njohëse nga efektet e plakjes./reuters







