Shkretëtira Atacama në Kilin verior, e njohur si vendi më i thatë në planet, është transformuar në një peizazh mahnitës pasi reshjet e rralla të shiut sollën në jetë miliona lule shumëngjyrëshe.
Pas viteve të tëra me mungesë pothuajse totale të reshjeve, toka e Atakamës thithi lagështinë e nevojshme për të zgjuar farat që kishin qëndruar në gjumë për një kohë të gjatë. Brenda pak javësh, peizazhi i thatë u mbulua nga nuanca rozë, vjollcë, të bardha dhe të verdha, duke krijuar një spektakël natyror të rrallë.
Fenomeni, i njohur si “shkretëtira e lulëzuar” (Desierto Florido), ndodh vetëm kur plotësohen kushte të veçanta klimatike, si reshje të mjaftueshme, temperatura të favorshme dhe lagështi e përshtatshme.
Gjatë këtij fenomeni lulëzojnë më shumë se 200 lloje bimësh, shumë prej të cilave janë endemike dhe të përshtatura për të mbijetuar në një nga mjediset më ekstreme në Tokë, duke pritur për vite të tëra momentin e duhur për të çelur.
“Shkretëtira e lulëzuar” konsiderohet një nga mrekullitë natyrore më të rralla dhe më spektakolare, duke tërhequr çdo herë mijëra vizitorë dhe fotografë nga e gjithë bota.







