Ballina Aktualitet Helmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë: AKU reagim zyrtar, çfarë u...

Helmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë: AKU reagim zyrtar, çfarë u konstatua nga kontrollet e kryera

75
0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas dyshimeve për helmimin e mbi 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet në subjektin që ofron shërbimin e kateringut.

Sipas njoftimit zyrtar, pas informacionit të marrë nga Akademia e Sigurisë, inspektorët e AKU-së ushtruan kontrolle në subjektin SORI-AL, i cili ofron shërbimin e ushqimit në Akademinë e Sigurisë dhe në Garnizonin “Skënderbej”, pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga verifikimet e kryera në Akademinë e Sigurisë u konstatua se aktiviteti zhvillohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacion të rregullt. Gjithashtu u morën 14 mostra ushqimore nga vaktet e drekës dhe darkës së datës 24 qershor 2026, të cilat u dërguan për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Në vijim të hetimit të gjurmueshmërisë, AKU kreu inspektim edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku përpunoheshin ushqimet. Si masë paraprake, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit në adresën e Garnizonit “Skënderbej” deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.