Ballina Europë Shembet masivi shkëmbor në një plazh, humb jetën një zhytëse, një tjetër...

Shembet masivi shkëmbor në një plazh, humb jetën një zhytëse, një tjetër rezulton i zhdukur

55
0

Një tragjedi është shënuar pranë farit të Biarritz, në jugperëndim të Francës, ku shembja e një shpati shkëmbor mbi tre zhytës ka lënë një të vdekur dhe një tjetër të zhdukur.

Një masë e madhe shkëmbi u shemb në det, duke zënë poshtë tre persona që ndodheshin në rrëzë të shpatit. Ekipet e shpëtimit nxorën nga uji trupin e pajetë të një gruaje, ndërsa një zhytës tjetër arriti të shpëtonte pa lëndime fizike, por në gjendje shoku.

Sipas autoriteteve lokale, një burrë 34-vjeçar vijon të jetë i zhdukur. Kryetari i Bashkisë së Biarritz bëri të ditur se ai është partneri i gruas që humbi jetën.

Prefektura e Pyrenees-Atlantiques njoftoi se rreth 2 mijë metra katrorë të shpatit u shembën rreth orës 20:20 pranë farit të Biarritz. Në atë moment, plazhi Miramar ishte i mbushur me pushues, pasi temperaturat në zonë kishin kaluar 40 gradë Celsius.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë, përpara se të shihnin një pjesë të madhe të shkëmbit të shkëputej dhe të binte në ujë.

“Ne shpesh uleshim aty për të parë perëndimin e diellit dhe nuk e kishim menduar kurrë se shkëmbi mund të shembej,” tha një grua 32-vjeçare për AFP.

Operacioni i kërkimit për gjetjen e 34-vjeçarit vazhdon, ndërsa autoritetet kanë izoluar zonën për arsye sigurie.