Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për Besnik Pjetrin, i dënuar për vrasjen e ish-vjehrrit dhe ish-kunatit të tij në fshatin Grykë Zezë të Lezhës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesnatës së të hënës, më 29 gusht 2022, pranë banesës së viktimave. Sipas dosjes, 45-vjeçari kishte pritur kthimin e tyre në shtëpi. Babë e bir ishin kthyer nga Italia, ku jetonin prej vitesh, pasi kishin marrë pjesë në një dasmë te të afërmit në vendlindje.
Pjetri dyshohet se kishte ndjekur lëvizjet e viktimave dhe, sapo ata janë kthyer në banesë, është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash. Shkak për krimin dyshohet të kenë qenë konfliktet e vazhdueshme që ai kishte me ish-bashkëshorten dhe familjen e saj. Në vendim janë pasqyruar edhe dëshmitë e familjarëve të viktimave, si dhe rrethanat e ngjarjes.
Sipas dëshmisë së bashkëshortes së viktimës Pjetër Përjaku, mbrëmjen e 29 gushtit 2022, pasi familja ishte kthyer nga Italia dhe kishte shkuar në banesë, aty ka hyrë Besnik Pjetri, ish-dhëndri i tyre. Ajo ka deklaruar se ai ka qëlluar fillimisht me armë zjarri Pjetër Përjakun dhe më pas djalin e tij, Gentjan Përjaku, duke i lënë të dy të vdekur, ndërsa më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. “I pandehuri në gjykimin në shkallë të parë ka deklaruar marrëdhënien e tij me bashkëshorten Dorina, shpenzimet dhe boshatisjen e llogarisë prej saj, largimin nga banesa dhe lidhjen me dikë tjetër, ndërsa është denoncuar nga ajo për dhunë ka kryer burg në Itali, ndërsa është rrahur nga vjehrri dhe vëllai i tij në Itali.
Ai ka deklaruar se, në vazhdimësi ka kërkuar të takojë vajzat e tij, por nuk është lejuar. Edhe ditën e ngjarjes ka menduar se, kishin ardhur edhe vajzat e tij dhe ka shkuar për t’i takuar. Ka marrë armën dhe se kudo që do ta kishin thirrur ai do të shkonte i armatosur. Ndërsa ditën e ngjarjes ka parë Pjetrin që ka futur dorën në çantë, Gentin nuk e ka parë fare dhe vetëm pas 3-4 ditësh ka mësuar se, kishin ndërruar jetë 2 persona. Armën e ka hedhur në mal dhe nuk ka ditur nga të shkojë”, argumenton gjykata.







