Rrëzimi nga ana e shumicës socialiste i kërkesës për arrestimin e ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku “ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancës, si dhe të barazisë para ligjit”. Vlerësimi është pjesë e draft raportit të përvitshëm që Komisioni Europian harton për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Drafti, ende konfidencial, vëren se si kërkesa e Prokurorisë së Posaçme ashtu dhe masa e mëhershme e pezullimit të saj nga detyra çuan në “reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut”.
Edhe nisma e socialistëve për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve të lartë që nuk mund të pezullohen nga detyra “kontribuoi në një perceptim për pandëshkueshmëri”, shkruhet në dokumentin e Brukselit.
Draft Raporti vlerëson punën e SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit duke përmendur 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të nivelit të lartë të hetura gjatë vitit të shkuar. Por anga ana tjetër vëren se ka patur përpjekje si nga politika dhe nga mediat për të ushtruar trysni dhe ndikim të papërshtatshëm.
Duke analizuar përpjekjet e institucioneve për të frenuar e parandaluar korrupsionin, dokumenti rendit sektorët dhe institucionet me rriskun më të lartë, nga shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, te policia e partneritetet publik-privat apo Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Polarizimi i fortë politik shihet si të ketë një ndikim negative mbi veprimtarinë e parlamentit, ndërsa përmend dhe protestat e dhunshme të organizuara nga Partia Demokratike. Raporti sheh probleme dhe në procesin e ligjbërjes, ndërsa përmend “mungesën e publikimit në kohë të drafteve për shqyrtim nga palët e interesuara, cilësinë e procesit të konsultimit dhe ndjekjen e kufizuar” si dhe praktikën e paraqitjes së projektligjeve “në momentin e fundit nga një deputet i vetëm, gjë që ndikon në cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ”.







