Ballina Kronika Gardisti arrestohet për dhunë në familje, AMP: U denoncua nga bashkëshortja për...

Gardisti arrestohet për dhunë në familje, AMP: U denoncua nga bashkëshortja për dhunë dhe kanosje

36
0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një punonjës të Gardës së Republikës, i dyshuar për ushtrim dhune në familje.

Sipas burimeve zyrtare, efektivi me inicialet H.S. u ndalua pas një kallëzimi të bërë nga bashkëshortja e tij, e cila e akuzon për dhunë fizike, psikologjike dhe kanosje të përsëritura.

Në njoftimin zyrtar, AMP bën me dije se hetimet nisën menjëherë pas denoncimit, ndërsa Policia e Tiranës ndërhyri me urdhër të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Drejtoria Rajonale Tiranë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, shtetasin me inicialet H.S., i dyshuar për veprën penale ‘dhuna në familje’, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal”, thuhet në deklaratë.

Gjatë veprimeve hetimore është ushtruar kontroll edhe në banesën e gardistit, ku janë sekuestruar tre telefona celularë, të cilët konsiderohen me interes për hetimin.

Pas administrimit të provave dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, AMP konfirmoi arrestimin e efektivit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.