Ballina Opinion Shqipëria, atelier i një pushteti që eksperimenton me veten

Shqipëria, atelier i një pushteti që eksperimenton me veten

57
0

Nga Klevis Bakillari

Zakonisht në vendet e vogla, ndodh që një individ, apo një forcë politike apo një elitë të krijojë një marrëdhënie të pazakontë me shoqërinë: ta kthej vendin në një hapësirë ku testohen ide, ambicie, projekte dhe mënyra të ushtrimit të pushtetit. Shqipëria e viteve të fundit është shndërruar në një lloj atelier-i politik ku Edi Rama ka ushtruar jo vetëm funksionin e qeverisjes, por edhe pasionet e tij të shumta për transformimin e hapësirës publike, komunikimit politik dhe mënyrës së prezantimit të shtetit.

Në atelier krijohet, provohet dhe riformësohet një vepër. Po kush e kontrollon procesin krijues dhe kush mban përgjegjësinë për rezultatin? Në rastin tonë, kjo pyetje lidhet me raportin mes një pushteti të fortë, një opozite shpesh të përçarë dhe një shoqërie që vazhdon të përballet me tundimin e protestës si mjet ndryshimi.

Në këtë klimë, protesta – një e drejtë themelore në çdo demokraci – rrezikon të humbasë kuptimin e saj kur mbushet me elementë që nuk synojnë debat publik, por përplasje, kaos dhe spektakël. Një protestë e dobët në përmbajtje, por e fortë në zhurmë, i jep mundësi çdo pushteti të zhvendosë vëmendjen nga pyetjet thelbësore drejt përballjes me “armiqtë e rendit”.

Edi Rama është shfaqur shpesh si një politikan që kërkon të ndajë qartë atë që ai e konsideron si protestë legjitime nga ajo që e quan aventurë politike, rebelizëm pa program apo nxitje të fenomeneve dhunuese. Për mbështetësit e tij, kjo është mbrojtje e institucioneve dhe e rendit publik. Për kritikët, kjo mund të shihet si një mënyrë për të dobësuar çdo zë kundërshtues duke e vendosur atë në të njëjtën kategori me ekstremizmin apo kaosin.

Në këtë përplasje perceptimesh qëndron edhe drama e politikës tonë: një pushtet që ndihet i rrethuar dhe një opozitë që shpesh përpiqet të fitojë terren jo gjithmonë përmes ideve, por përmes tronditjes së skenës publike. Në mes mbetet qytetari, i cili kërkon më pak spektakël dhe më shumë përgjigje.

Në një farë mënyre, Shqipëria është bërë një skenë ku ushtrohen shumë ambicie politike. Rama e ka përdorur këtë skenë si një hapësirë ku ndërthur vizionin, estetikën, komunikimin dhe kontrollin e narrativës publike. Por një vend nuk mund të jetë pafundësisht një projekt personal i askujt; ai është mbi të gjitha një shoqëri me nevoja, pritshmëri dhe të drejta.

Nga ana tjetër, mënyra sesi disa aktorë politikë kërkojnë pushtetin ngre pyetje të forta për kulturën demokratike. Kur ambicia për pushtet kalon përmes zemërimit të pakontrolluar, retorikës së përplasjes dhe tundimit për të prodhuar krizë, atëherë demokracia rrezikon të kthehet në një garë për dominim dhe jo në një garë për zgjidhje.

Në fund, ajo që mbetet më tronditëse nuk është vetëm përplasja mes pushtetit dhe protestës, por mënyra sesi disa njerëz e konceptojnë marrjen e pushtetit: jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si një betejë totale ku çdo mjet duket i lejueshëm. Një qasje e tillë ndaj pushtetit të habit, të lë pa fjalë dhe të detyron të pyesësh nëse politika po kërkon ende të shërbejë shoqërinë, apo thjesht të pushtojë skenën.