Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi Hasan Verracaku, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk u gjet në banesë. Ndaj Verracakut është referuar edhe akuza për largim nga vendi i qëndrimit, ndërsa Prokuroria ka nisur veprimet e mëtejshme.
Njoftimi
AMP arreston katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”*
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:
* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
* Inspektor Gentian Xhanari;
* Inspektor Dioniz Hotaj;
* Punonjësit Ridvan Zefi,
me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër
Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.







