Ballina Kosovë “Rrugët e Hagës do mbushen me shqiptarë”/ Plas indinjata pas shtyrjes së...

“Rrugët e Hagës do mbushen me shqiptarë”/ Plas indinjata pas shtyrjes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

58
0

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës për ta shtyrë shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga korriku ne 16 shtator ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) e cilësoi procesin gjyqësor në Hagë si politik, duke insistuar se zvarritja e vazhdueshme e procedurave po dëmton besimin në drejtësi. Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, tha se vendimi i fundit i Speciales është skandaloz ndaj krerëve të UÇK-së.

“Pra, kemi të bëjmë me një shtyrje të qëllimshme dhe tash e gjashtëmbëdhjetë vjet hetimet asnjëherë nuk kanë përfunduar. Tash e gjashtë vjet krerët e UÇK-së mbahen padrejtësisht në paraburgim, kanë kaluar pothuajse pesë muaj nga fjala përfundimtare dhe ata kanë kërkuar edhe dy muaj të tjerë që të ketë verdikt. Pra, pothuajse një vjet iu është dashtë atyre që të nxirret verdikti dhe këtu shihet që kjo gjykatë është një gjykatë politike dhe nuk ka lidhje me drejtësinë.

Megjithatë, më 16 shtator në ora 10:00 rrugët e Hagës dhe rrugët e Prishtinës duhet të jenë përplot shqiptarë dhe kjo ditë është në duart e trupit gjykues… të Gjykatës Speciale të Hagës. Është në duart të trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Hagës nëse këtë ditë duan ta shndërrojnë në ditë feste për drejtësi, apo në protestën më të madhe në historinë që ka njohur Haga dhe Prishtina kundër padrejtësisë që mund të ndodhë në rast se verdikti do të jetë negativ për krerët e UÇK-së”, tha Artan Behrami-PDK.

Për këtë zhvillim reagoi edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar vetëm sa e forcon bindjen se Gjykata Speciale po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një institucion që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng të këtij procesi të padrejtë dhe të pafund. Paraburgimi i stërzgjatur u është shndërruar atyre në një dënim të padrejtë dhe Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë”, ka shkruar Hamza.