Ballina Kronika Nën akuzë për pastrim parash përmes kompanive fasadë/ SPAK dërgon në gjyq...

Nën akuzë për pastrim parash përmes kompanive fasadë/ SPAK dërgon në gjyq katër persona

49
0
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82

SPAK ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, pas hetimeve që zbuluan një skemë të dyshuar për futjen e fondeve me origjinë kriminale në ekonominë shqiptare përmes kompanive fiktive.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë qershorit 2024 janë krijuar në Shqipëri tre shoqëri tregtare, “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të gjitha me kapital minimal, të regjistruara në të njëjtën adresë dhe pa ushtruar aktivitet real ekonomik. Sipas SPAK, këto kompani janë përdorur si mekanizma për të futur në qarkullimin formal fonde me origjinë të dyshuar kriminale.

Prokuroria thotë se janë evidentuar transaksione bankare me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion justifikues dhe transferta ndërkombëtare drejt subjekteve të huaja të lidhura me personat nën hetim.

Në qendër të skemës, sipas SPAK, ka qenë shoqëria “Wortend” sh.p.k., e cila ka realizuar qarkullime financiare që nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar. Gjithashtu janë konstatuar kreditime bankare më të larta se vlera e faturave, pagesa ndaj kompanive të huaja pa dokumentacion dhe investime në pasuri të paluajtshme e automjete luksoze.

Një pjesë e fondeve është përdorur për blerjen e dy pronave në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, për një vlerë të deklaruar prej 1.62 milionë eurosh. Nga ekspertimi ka rezultuar se vlera reale e tregut të këtyre pronave ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratat e shitblerjes.
SPAK bën me dije se gjatë hetimit është siguruar informacion edhe nga autoritetet gjyqësore të Spanjës, sipas të cilit disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi edhe për vepra penale të mashtrimit.

Sipas organit të akuzës, Domingo Romillo Iriarte kishte rolin drejtues dhe organizues të skemës, duke administruar kompanitë, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet. Ndërsa Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kontribuuan në krijimin e fasadës së ligjshme të aktivitetit ekonomik përmes roleve të tyre në kompanitë “Wortnova” dhe “Wortend”.
Nga ana tjetër, Doris Pere akuzohet se ka ndihmuar funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin e adresave të kompanive dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.
Mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:
1.Domingo Romillo Iriarte, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,”Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
2.Mihaela Munteanu Manole, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
3.Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
4.Doris Pere, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.
Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminal, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë.
Shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.
Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.
Gjatë hetimit është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.
Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.
Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.
Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.
Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.