Ballina Politika Opozita bojkoton Kuvendin/ Berisha: Nuk marrim pjesë në seancat plenare, deputetët e...

Opozita bojkoton Kuvendin/ Berisha: Nuk marrim pjesë në seancat plenare, deputetët e PD do të shkojnë vetëm në komisione

52
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD mbështet protestën qytetare, por nuk synon ta përvetësojë apo ta përçajë atë, duke theksuar se deputetët dhe anëtarët e partisë kanë marrë pjesë si qytetarë. Berisha u shpreh se Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e protestuesve, ndërsa sqaroi se, edhe pse nuk është dakord me disa slogane të përdorura gjatë protestës, nuk ka hapur polemika për të mos larguar vëmendjen nga thelbi i saj.

Berisha e cilësoi tubimin si “protestën më madhështore që ka njohur Shqipëria”, duke ritheksuar mbështetjen e demokratëve për lëvizjen qytetare.

Në deklaratën e tij, kreu i PD-së foli edhe për zhvillimet brenda partisë, duke theksuar se Kuvendi Kombëtar ka shpallur moton “Ripërtëritje”, ndërsa modernizimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të PD. Sipas tij, një institut amerikan ka përgatitur një platformë për modernizimin e partisë, ndërsa është hartuar edhe vizioni i ri politik. Ndërsa njoftoi se s’do të ketë protesta siç ishte njoftuar më parë, pasi mbështesin protestën qytetare.

Berisha njoftoi gjithashtu se grupi parlamentar i PD-së do të vazhdojë bojkotin e seancave plenare, por jo të komisioneve parlamentare, derisa, sipas tij, qeveria e Edi Rama të paraqesë për shqyrtim amendamentet e depozituara nga deputetët demokratë në mbështetje të kërkesave të protestuesve.

Ai e cilësoi mosshqyrtimin e këtyre amendamenteve si “fyerje të rëndë dhe dhunim të të drejtave”, duke kërkuar që ato të diskutohen në Kryesi dhe të paraqiten për shqyrtim në Kuvend.

“Qëndrimi ynë ndaj protestës ka qenë; protesta nuk është e jona, nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta akaparuar apo përçarë, do të marrim pjesë me anëtarë dhe qytetarë. Kanë marrë pjesë deputetët, por si qytetarë, po ashtu edhe anëtarët tanë. I mbështesim fuqishëm për 5 kërkesat. Nuk jemi dakord kurrsesi me ndonjë slogan, por nuk kemi hapur polemika, pasi nuk duam të shpërqëndrojmë kurrsesi nga protesta.

Kjo është protesta më madhështore që ka njohur Shqipëria. Mbështesim protestën.

Kuvendi i PD, shpalli moton “Ripërtëritje”, dhe garanton demokratët se vlera do të jetë drejtim themelor i joni. Kemi deklaruar modernizimin si vlerë themelore. Instituti amerikan ka përgatitur për ne një platformë të shkëlqyer, e cila do të modernizojë partinë. Kemi përgatitur vizionin e Partisë Demokratike dhe s’mund të ketë pushime për këtë parti, ka betejë dhe vetëm punë.

Kemi shpallur mospjsëmarrje në seancat plenare dhe jo në Komisione derisa Edi Rama të zbatojë paraqitjen e amendamenteve që kanë paraqitur deputetët tanë për kërkesat e protestuesve. Mbajtja e tyre pa i paraqitur është fyeje e rëndë dhe dhunim i të drejtave. Të vendosë Kryesia, t’i diskutojmë dhe t’i paraqesim. Është detyrimi më minimal”, tha Berisha.