Pas kritikave ndaj SPAK-ut dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, Fatmir Xhafaj ka drejtuar këtë herë shigjetat ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë raportimit të kryetarit të ri të KLGJ-së, Ilir Rusi, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputeti socialist e bëri Këshillin përgjegjësin kryesor për problemet që ka sjellë harta e re gjyqësore, duke e akuzuar se e zbatoi reformën pa pasur as infrastrukturën minimale për ta përballuar.
Xhafaj kujtoi se kishte qenë kundër hartës gjyqësore që në fazën e miratimit, duke argumentuar se procesi duhej të zhvillohej me një periudhë tranzitore. Sipas tij, KLGJ e dinte se nuk kishte godina, zyra dhe kushte të mjaftueshme për përqendrimin e gjykatave, por gjithsesi vendosi të transferonte dosjet me nxitim.
“Nuk dihej? Dihej sigurisht, dihej nga ju, dihej nga qeveria, dihej dhe nga ne. Dhe megjithatë u vendos dhe u bë kështu. Kush është përgjegjës për këtë gjë?”, u shpreh ai.
Deputeti shkoi edhe më tej, kur hodhi dyshimin se insistimi për zbatimin e menjëhershëm të hartës kishte si synim t’u krijonte vende disa anëtarëve të KLGJ-së së asaj kohe në Gjykatën e Apelit. Ai përshkroi një situatë alarmante, duke deklaruar se sot në Apel ka më shumë gjyqtarë sesa zyra dhe se, me këto kushte, seancat rrezikojnë të zhvillohen edhe në korridore.
Problemet që ngriti Xhafaj nuk janë të panjohura. Vonesat, mbingarkesa e gjykatave dhe mungesa e infrastrukturës janë evidentuar prej kohësh dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt te qytetarët. Por mënyra se si ai ndan përgjegjësitë ngre pikëpyetje. Vetë deputeti pranoi se qeveria ishte në dijeni të mungesës së kushteve, por e renditi atë vetëm si “përgjegjëse të dytë”, ndërsa barrën kryesore ia ngarkoi KLGJ-së.
Në fakt, përgjegjësia e ekzekutivit është e një rangu primar. Propozimi i KLGJ-së për hartën e re gjyqësore nuk mori fuqi vetëm me vendimin e Këshillit, por u miratua nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm. Vetë ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në ditën kur qeveria miratoi hartën, deklaronte se Ministria e Drejtësisë kishte qenë pjesë e procesit “që ditën e parë”, se kishte bashkëpropozuar projektin dhe se ishte pikërisht ekzekutivi ai që do të garantonte financimin, logjistikën dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Në të njëjtën deklaratë ai siguronte publikisht se harta e re “nuk do të cenonte asnjë shërbim për qytetarët” dhe se shërbimet gjyqësore do të vijonin normalisht edhe në zonat ku gjykatat do të mbylleshin.
Kjo do të thotë se përgjegjësia për mënyrën se si u konceptua dhe u zbatua reforma nuk mund të bjerë vetëm mbi KLGJ-në. Ajo është edhe përgjegjësi politike e qeverisë, e cila jo vetëm e miratoi hartën me Vendim të Këshillit të Ministrave, por mori përsipër publikisht edhe garantimin e kushteve materiale për funksionimin e saj.
Në vetëm pak ditë, lista e institucioneve që kanë hyrë në shënjestrën e Fatmir Xhafajt po zgjatet: fillimisht SPAK-u, më pas Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe tani KLGJ-ja. Të tre janë institucione të pavarura, ndërsa përgjegjësia e qeverisë, e cila jo vetëm mbështeti politikisht hartën gjyqësore, por e miratoi zyrtarisht me VKM dhe mori përsipër financimin e zbatimit të saj, mbetet në plan të dytë. Po aq në hije mbetet edhe roli i ish-ministrit Ulsi Manja, i cili e prezantoi reformën si një produkt të përbashkët të sistemit gjyqësor dhe ekzekutivit. Kjo e bën të vështirë të mos shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një kërkesë të sinqertë për llogaridhënie, apo me vazhdimin e një modeli ku kritikat drejtohen kryesisht ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë, ndërsa përgjegjësia politike trajtohet si dytësore./vna







