Rreth 5.800 persona u arrestuan dhe pothuajse 300 milionë dollarë u sekuestruan në kuadër të një operacioni global të Interpolit kundër mashtrimeve online, i zhvilluar nga janari deri në prill.
Me pjesëmarrjen e policive të 97 vendeve, ky operacion kishte si objektiv kryesor mashtrimet që shfrytëzojnë besimin e njerëzve për t’u marrë atyre para ose informacione konfidenciale.
Bëhet fjalë, për shembull, për vjedhjen ose keqpërdorimin e emaileve profesionale, shantazhet seksuale, mashtrimet në internet, vjedhjen e identitetit ose mashtrimet me investime, thuhet në njoftimin e Interpolit, i cili koordinoi këtë aksion me emrin “First Light 2026”.
Numri shumë i lartë i viktimave të identifikuara (142.000) “thekson shkallën në të cilën” ky lloj mashtrimi “është shndërruar në një kërcënim të madh ndërkombëtar, që prek individët, bizneset dhe qeveritë”, thekson Interpoli.
Organizata ndërkombëtare e policisë kriminale, me seli në Lion të Francës, përmend si shembull se ka arrestuar 82 persona në Esuatini dhe “ka shkatërruar një rrjet kriminal që menaxhonte lojëra fati të paligjshme në internet dhe pastronte para” të ardhura nga “mashtrime komplekse me vjedhje identiteti”.
Në një rast tjetër, u sekuestrua “një riprodhim realist i një komisariati policie brazilian me uniforma të rreme”, “duke u shtirur gjatë video-thirrjeve si pjesëtarë të policisë federale, mashtruesit i bindnin viktimat e tyre se ishin përfshirë në një krim dhe i detyronin të transferonin fonde për t’i ‘siguruar’ ato, fonde të cilat më pas përvetësoheshin”.
Në raste të tjera të përmendura, një kompani tregtare e lëndëve të para me seli në Singapor u vu në shënjestër nga kriminelë që u shtirën si furnitorë. Ndërsa në Makao, punonjës publikë të rremë, të cilët kishin bindur një viktimë të transferonte para me pretekstin e një hetimi për mashtrim, u arrestuan pak para se viktima t’u dërgonte pothuajse 372.000 dollarë amerikanë.







