Ballina Kuriozitete E gjeti me detektor metalesh duke menduar se ishte ar, por zbuloi...

E gjeti me detektor metalesh duke menduar se ishte ar, por zbuloi një thesar 4.6 miliardë-vjeçar

59
0

Një zbulim i jashtëzakonshëm në Australi ka treguar se jo çdo “thesar” i fshehur në tokë është prej ari. Një burrë që për vite me radhë besonte se kishte gjetur një copë ari, zbuloi se në duart e tij kishte një objekt shumë më të rrallë: një meteorit të formuar para se të ekzistonte Toka. Në maj të vitit 2015, David Hall po kërkonte me detektor metalesh në Parkun Rajonal Maryborough, në shtetin australian të Victorias, kur mori një sinjal të fortë. Pas gërmimit, ai nxori një shkëmb të kuqërremtë, me peshë të madhe dhe sipërfaqe të pazakontë, duke besuar se nën koren e tij fshihej një copë ari.

Për muaj të tërë, Hall u përpoq ta hapte shkëmbin duke përdorur sharrë guri, makinë prerëse, trapan, acid dhe madje edhe çekiç, por pa sukses. Objekti rezultoi pothuajse i pathyeshëm. Tre vite më vonë, ai vendosi ta çonte në Muzeun e Melburnit, ku gjeologët zbuluan se nuk bëhej fjalë për ar, por për një meteorit të rrallë.

Ekspertët identifikuan në sipërfaqen e tij gjurmët karakteristike të krijuara gjatë kalimit në atmosferën e Tokës. Meteori peshonte 17 kilogramë dhe kishte përmasa 38.5 x 14.5 x 14.5 centimetra. Për të parë përbërjen e tij, shkencëtarët përdorën një sharrë diamanti. Analizat zbuluan praninë e kondruleve – struktura minerale që datojnë nga fazat e para të formimit të Sistemit Diellor. Meteori u klasifikua si një kondrit i tipit H5, me përmbajtje të lartë hekuri dhe nikeli.

Sipas studiuesve, meteori u formua rreth 4.6 miliardë vjet më parë, madje përpara formimit të plotë të Tokës. Mendohet se ai e ka origjinën nga brezi i asteroideve mes Marsit dhe Jupiterit dhe ka rënë në Tokë diku mes 100 dhe 1,000 viteve më parë. Meteori i Maryborough është vetëm i 17-ti i regjistruar ndonjëherë në shtetin e Victorias, duke e bërë atë shumë më të rrallë se copëzat e arit për të cilat njihet kjo zonë. Sot ai është pjesë e koleksionit të Muzeut të Melburnit, ku ekspozohet si një nga objektet më të çmuara shkencore, duke ofruar informacione të rëndësishme për historinë e hershme të Sistemit Diellor.