Vetëm pak orë përpara çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë, të dyja kombëtaret po përballen me probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në përgatitjet për sfidën e së shtunës mbrëma (23:00) në Miami.
Sipas ‘Daily Mail’, mesfushori i Anglisë, Declan Rice, është prekur nga një virus dhe është izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës për të shmangur përhapjen e infeksionit. Futbollisti i Arsenalit ka munguar në dy seanca stërvitore radhazi, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka ndërmarrë menjëherë masa parandaluese. Në kampin anglez mbizotëron optimizmi se situata është nën kontroll dhe se virusi nuk është përhapur te pjesa tjetër e ekipit.
Rice kishte vuajtur edhe më herët nga shqetësime fizike në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës, ndaj mungesa e tij në çerekfinale do të ishte një goditje e rëndësishme për Anglinë.
Problemet nuk mungojnë as në kampin norvegjez. Portieri Orjan Nyland konfirmoi se disa futbollistë janë prekur nga sëmundja, ndërsa stafi mjekësor po punon për të mbajtur situatën nën kontroll.
“Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i zënë për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.
Dy futbollistë norvegjezë kanë munguar tashmë për shkak të virusit. Sulmuesi Jorgen Strand Larsen nuk luajti në ndeshjen e parë të turneut, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen mungoi në sfidën ndaj Brazilit. Ndërkohë, edhe përzgjedhësi Stale Solbakken u pa duke kollitur gjatë konferencës për shtyp, duke shtuar shqetësimet në kampin nordik.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Anglia dhe Norvegjia mbeten të fokusuara te përballja që pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të çerekfinaleve të Botërorit. Megjithatë, përpara se të luftojnë për një vend në gjysmëfinale, të dyja skuadrat duhet të fitojnë edhe betejën kundër virusit.







