Ballina Kosovë Mbrojtja e Hashim Thaçit kërkon lirimin e tij me kusht nga qelia,...

Mbrojtja e Hashim Thaçit kërkon lirimin e tij me kusht nga qelia, ish-presidenti ofron 50 mijë euro garanci

68
0

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale, lirimin me kusht të këtij të fundit nga qelia. Në kërkesën e siguruar nga mediat në Kosovë thuhet se, ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik për t’u arratisur. Po ashtu avokatët mbrojtës kanë deklaruar se Thaçi ka ofruar garanci financiare prej 50 mijë eurosh për lirimin e tij.

“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) paraqet me këtë parashtresë argumentet e saj në kuadër të rishikimit të paraburgimit, në përputhje me nenin 41(6) dhe (10) të Ligjit,¹ rregullat 56 dhe 57 të Rregullores,² si dhe urdhrin e Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit (“GVG”).³ Mbrojtja kërkon që GVG-ja të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ndër të tjera, me arsyetimin se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh garancinë financiare prej 50.000 eurosh të ofruar për të siguruar lirimin e tij,⁴ si dhe se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk është më i arsyeshëm ose proporcional”, thuhet mes tjerash në kërkesë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

Thaci, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërt i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima. Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.