Dy urdhra me legjitimitet të dyshimtë të Doganës së Durrësit kanë krijuar një situatë kaotike në doganën e dytë më të rëndësishme të vendit. Përmes urdhrave, drejtori Drilon Bushati, përveçse shton burokracitë, i ka dhënë vetes kompetenca të pakufizuara deri në pikën që të miratojë apo refuzojë çdo kërkesë për shkarkim mallrash.
Kapitali publikon urdhrat kontravers në kundërshtim të plotë të Kodit Doganor.
Urdhri i parë me numër 32 mban datën 7 prill të këtij viti. Ky urdhër detyron çdo biznes, që nuk e ka selinë në Qarkun Durrës, që të bëjë kërkesë me shkrim përpara se sa doganierët t’i shqyrojnë dosjen për mallrat që hynë në magazinë doganore, të ashtuquajturën DAV IM7. Kjo është një pengesë burokratike për të gjitha bizneset, të cilat nuk e kanë adresën zyrtare në qarkun e Durrës, por në qarqet e tjera të Shqipërisë. Si e tillë ajo vjen në kundërshtim të plotë me ligjin pasi nuk është e parashikuar në asnjë nen të Kodit Doganor.

Dhe nëse urdhri i parë shton burokracitë, i dyti që është firmosur vetëm pak ditë më parë, është edhe më flagrant. Përmes këtij urdhri drejtori i Doganës së Durrësit e ka shndërruar veten në mbretin e Doganës duke detyruar çdo biznes që të marrë miratim nga ai për të shkarkuar mallrat.
Urdhri Nr. 68, datë 02.07.2026 i jep një personi të vetëm, pra kryetarit të degës doganore Durrës pushtet të plotë për të miratuar apo refuzuar çdo kërkesë për transbordim apo shkarkim mallrash, pa asnjë kriter të shkruar, pa asnjë afat, pa asnje mundesi ankimi.

Durrësi është nyja kryesore tregtare e vendit për shkak të portit më të madh. Tashmë të gjitha bizneset që importojnë ose eksportojnë mallra në Portin e Durrësit do të jenë në mëshirën e drejtorit të kësaj dege doganore, i cili nga pozitat e të plotfuqishmit mund të lejojë ose jo shkarkimin ose ngarkimin e mallrave.
Një biznes mund të mbetet peng i vendimit të një zyrtari, pa ditur kurrë përse i është refuzuar kërkesa apo se kur do t’i vije pergjigja. Fakti qe ligji nuk e kerkon kete lloj kontrolli, dhe qe dega doganes Durres e ka krijuar vete nje sistem kaq te pakontrolluar, eshte ne vetvete alarmant.
Të dy urdhrat janë totalisht të paligjshëm, pasi prekin proçedura doganore. Sipas Kodit, proçedurat nuk normohen nga degët e doganave, por vetëm nga drejtori i Përgjithshëm i tyre. Nuk dihet se cila është arsyeja përse kreu i Doganës së Durrësit e kërkon këtë pushtet absolut, por nuk është e vështirë për t’u marrë me mend.
Imagjinoni një kompani që sjell ushqime nga Porti i Durrësit. Tani asaj do të duhet t’i lutet drejtorit, që të japë miratimin për shkarkim ose të përballet me prishjen e ushqimeve. Ky është një kanal i tmerrshëm korrupsioni, nga i cili të paktën formalisht, Shqipëria është ndarë vite më parë. Aq më tepër që drejtori i Doganës së Durrësit është me rekord problematik integriteti.







