Hetimi zyrtar për menaxhimin e pandemisë së Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se miliarda paund nga fondet publike u shpenzuan për pajisje mbrojtëse personale (PPE) që mbetën të papërdorura, skaduan ose rezultuan të papërshtatshme për përdorim.
Sipas raportit, rreth 9.9 miliardë paund u humbën në këtë mënyrë, ndërsa shpenzimet totale për pajisje mbrojtëse, teste diagnostikuese dhe pajisje të tjera, përfshirë ventilatorët, arritën në më shumë se 42 miliardë paund gjatë periudhës janar 2020 – qershor 2022. Vetëm për PPE u shpenzuan 14.9 miliardë paund.
Raporti vlerëson se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e përgatitur për shpërthimin e pandemisë. Kryetarja e hetimit, Baronesha Hallett, deklaroi se rezervat kombëtare të pajisjeve mbrojtëse ndodheshin në një “gjendje të rrezikshme”, duke e lënë vendin në disavantazh për sigurimin e furnizimeve në tregun ndërkombëtar.
Sipas gjetjeve, vetëm një e treta e maskave të depozituara në Angli ishin të përdorshme, ndërsa Skocia nuk dispononte rezerva të mjaftueshme të maskave mbrojtëse të nivelit të lartë. Mungesa e pajisjeve të nevojshme, thuhet në raport, rrezikoi shëndetin e personelit të NHS-së dhe të pacientëve.
Hetimi kritikon edhe sistemin e ashtuquajtur “VIP lane”, përmes të cilit kompanitë me lidhje politike merrnin trajtim prioritar në procesin e ofertimit për kontratat e PPE-së. Megjithatë, raporti thekson se nuk janë gjetur prova për korrupsion apo favorizim të paligjshëm nga ministrat apo zyrtarët publikë.
Një tjetër problem i evidentuar ishte mungesa e mbështetjes për azilet e kujdesit, klinikat e mjekëve të familjes dhe farmacitë, të cilat u detyruan të siguronin vetë pajisjet mbrojtëse. Hetimi e cilëson këtë si një dështim serioz të planifikimit.
Raporti evidenton gjithashtu humbje të tjera financiare, përfshirë 157 milionë paund për pajisje shëndetësore të papërdorura dhe 143 milionë paund të investuara në programin për zhvillimin e ventilatorëve, projektet e të cilit nuk arritën kurrë në fazën e prodhimit. Humbje të konsiderueshme nga pajisje të skaduara ose të papërdorura u regjistruan edhe në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.
Në përfundim, raporti nënvizon se, edhe pse në një pandemi është më e pranueshme të ketë tepricë pajisjesh sesa mungesë, planifikimi më i mirë dhe vendimmarrja më e shpejtë do të kishin shmangur humbje të mëdha financiare dhe do të kishin ulur ndjeshëm barrën për taksapaguesit.







