Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk ka ndërmend ta shkarkojë përzgjedhësin Thomas Tuchel, pavarësisht humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Shefi ekzekutiv i FA-së, Mark Bullingham, i dha mbështetje të plotë trajnerit gjerman.
“Është zemërthyese të jesh kaq afër. Lojtarët dhe Thomas dhanë gjithçka sot. Dua t’i falënderoj të gjithë, si dhe tifozët tanë të mrekullueshëm. Të gjithë jemi shumë të zhgënjyer që nuk shkuam më tej”, deklaroi Bullingham.
Ndërkohë, edhe Tuchel konfirmoi se do të vazhdojë në detyrë deri në Euro 2028.
“Ne vazhdojmë sipas kontratës deri në Evropianin që do të zhvillohet në shtëpi dhe mezi e pres atë. Nuk kam pendesa. Unë mora vendimet dhe e marr përgjegjësinë”, tha Tuchel.
Pas ndeshjes, ish-sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, kritikoi vendimet taktike të Tuchelit, duke thënë se kalimi në mbrojtje me pesë lojtarë “i kushtoi” Anglisë eliminimin.
Kapiteni Harry Kane u shpreh se Anglia ishte shumë pranë suksesit, por i mungoi “ajo pjesa e fundit”, duke shtuar se skuadra duhet ta gjejë elementin vendimtar për të kaluar pengesën në fazat përfundimtare të turneve të mëdha.







