Të paktën 20 nxënës dhe një person i rritur kanë humbur jetën pasi një autobus që transportonte nxënës në një udhëtim mësimor është aksidentuar në lindje të Ugandës, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.
Dhjetëra persona të tjerë, përfshirë pjesëtarë të stafit të shkollës, kanë mbetur të lënduar nga aksidenti i ndodhur të enjten mbrëma në zonën Kapchorwa.
Sipas hetimeve fillestare, autobusi kishte pësuar një defekt mekanik para se shoferi të humbiste kontrollin në kodrën Chekwatit, një segment rrugor ku më herët kanë ndodhur disa aksidente të rënda.
Policia ka bërë të ditur se autobusi doli nga rruga, goditi një gur të madh anash saj dhe u përmbys, shkruan BBC.
Autobusi po transportonte nxënësit e shkollës King David Junior School nga Ndejje dhe u aksidentua rreth orës 20:00 sipas kohës lokale, në fshatin Chekwatit, në zonën Kawowo.
Ministri i Qeverisjes Lokale të Ugandës, Balaam Ateenyi Barugahara, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, njoftoi se mes viktimave ishin 20 fëmijë dhe themeluesi e drejtori i shkollës, Tadeo Ssekade.
Pamjet e publikuara nga dëshmitarët treguan autobusin të dëmtuar rëndë, ndërsa banorët lokalë u përpoqën t’u ndihmonin fëmijëve të plagosur.
Nxënësit po ktheheshin nga një vizitë studimore, ndërsa mediat lokale raportuan se ata kishin vizituar ujëvarat Sipi, një zonë turistike në Ugandë.
Uganda regjistron mijëra viktima nga aksidentet rrugore çdo vit, ku shpejtësia e lartë, automjetet e amortizuara dhe rrugët e rrezikshme konsiderohen ndër shkaqet kryesore.
Ky aksident ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e transportit shkollor, pas disa aksidenteve të rënda me autobusë të raportuara në vend gjatë javëve të fundit.







