Një skandal ka tronditur Departamentin e Policisë në Nashville, SHBA, pasi një oficere policie dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte kryer marrëdhënie intime me një koleg brenda zyrës së saj në një shkollë të mesme, ndërsa në ndërtesë ndodheshin nxënës dhe mësues.
Sipas një raporti të Zyrës së Përgjegjësisë Profesionale, Lisa Vidrios, 37 vjeçe, pranoi se kishte pasur marrëdhënie me një koleg, i cili nuk ishte bashkëshorti i saj, të paktën katër herë gjatë muajit maj 2025, në ambientet e Shkollës së Mesme Madison.
Rasti u zbulua pasi hetuesit siguruan qasje në telefonin celular të saj, ku u gjetën video që dokumentonin takimet intime. Sipas raportit, ngjarjet ndodhën ndërsa nxënësit ndodheshin në shkollë dhe zërat e stafit dëgjoheshin në korridor, pranë zyrës.
Hetimi zbuloi gjithashtu se takimet nuk ishin kufizuar vetëm në shkollë. Oficerja kishte regjistruar edhe episode të ngjashme brenda një automjeti patrullimi, në të paktën dy raste gjatë kohës që të dy efektivët ishin në detyrë. Një prej tyre, sipas dokumenteve, kishte ndodhur në parkingun e një spitali të braktisur.
Skandali ka shkaktuar reagime të forta, pasi Vidrios ishte një nga figurat më të njohura të policisë lokale. Ish-marinsja me nëntë vite shërbim ishte bërë pjesë e fushatave promovuese të departamentit dhe, së bashku me bashkëshortin e saj, gjithashtu oficer policie, ishte çifti i parë i martuar që u diplomua njëkohësisht nga Akademia e Policisë në Nashville në vitin 2022.
Pas nisjes së hetimeve në fund të majit 2025, të dy oficerët u pezulluan dhe iu hoq arma e shërbimit. Vidrios pranoi shkeljet disiplinore për sjellje të papërshtatshme dhe aktivitet intim gjatë orarit të punës, mori një dënim disiplinor me kusht prej 30 ditësh dhe më pas paraqiti dorëheqjen.
Ndërkohë, kolegu i saj, një oficer me 18 vite eksperiencë, doli në pension në shkurt 2026 për shkak të një dëmtimi në detyrë, përpara se hetuesit të mund ta merrnin në pyetje lidhur me rastin.







