Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi për çështjen e pronave publike në zonat turistike të Dhërmiut dhe Palasës, duke akuzuar qeverinë Rama për tjetërsim të pasurive shtetërore. Berisha u shpreh se PD nuk do të njohë asnjë vendim që, cenon pronat publike dhe interesin e qytetarëve.
Kreu i demokratëve deklaroi se deputetët e Partisë Demokratike do të vijojnë denoncimet për këto raste, ndërsa kritikoi institucionet e drejtësisë, duke pretenduar se ato nuk po veprojnë ndaj aferave që lidhen me pronat publike.
Ai u shpreh se, vendimet e qeverisë për këto prona nuk do të legjitimohen politikisht nga opozita.
Sali Berisha:
Dua t’ju informoj sot se Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë nga këto vendime.
Sigurisht që deputetët tanë dhe ne do ta denoncojmë, por siç e dini, të nderuar zotërinj, ai SPAK-un e ka shtruar në një seksion, në një organizatë të Partisë Socialiste.
Ne do bëjmë detyrën tonë, por ne nuk do t’i njohim kurrë këto vendime.







