Kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Jens Spahn, dhe bashkëshorti i tij janë bërë prindër me ndihmën e një nëne bartëse në SHBA. Kjo ka ndezur një debat politik. Arsyeja: në Gjermani kjo praktikë ndalohet me ligj.
Një nënë bartëse vë në dispozicion trupin e saj për të mbartur dhe lindur një fëmijë dhe zakonisht paguhet për këtë. CDU e kundërshton këtë praktikë dhe e konsideron çështje me rëndësi të veçantë. Madje, në shkurt 2026, partia e rikonfirmoi këtë qëndrim në kongresin e saj federal.
“Duke pasur parasysh shqetësimet etike, juridike dhe praktike lidhur me amësinë zëvendësuese, CDU e Gjermanisë rithekson kërkesën që amësia zëvendësuese, edhe në modelet altruiste, të vazhdojë të mbetet e ndaluar në Gjermani, për të parandaluar abuzimin, shfrytëzimin dhe rreziqet shëndetësore”, thuhej në rezolutën e miratuar në Shtutgart.
Me model altruist nënkuptohet, për shembull, kur një anëtare e familjes mban një fëmijë për një person tjetër pa pagesë dhe për arsye solidariteti. Megjithëse ky model shihet si më pak problematik nga pikëpamja etike sesa amësia zëvendësuese komerciale, CDU mbetet e prerë: “Amësia zëvendësuese mbetet plotësisht e ndaluar.”
Në SHBA ndalimi mund të anashkalohej
Edhe Jens Spahn, një nga politikanët më të njohur të CDU-së dhe kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ishte i pranishëm në kongresin e partisë në shkurt 2026. Në jetën private, ai dhe bashkëshorti i tij Daniel Funke kishin vendosur prej kohësh të bëheshin prindër.
Të dy njihen që nga viti 2010 dhe u martuan në vitin 2017.
Nëna zëvendësuese e angazhuar në SHBA ishte tashmë shtatzënë me fëmijën e Funkes në kohën e kongresit. Në SHBA, amësia zëvendësuese lejohet në disa shtete. Në Kaliforni, për shembull, çiftet e të njëjtit seks mund të bëhen prindër në këtë mënyrë pa pengesa ligjore.
Fëmija tani ka lindur. Djali quhet Georg dhe, sipas Spahnit, i ka bërë jashtëzakonisht të lumtur të dy etërit e tij. Spahn e bëri publik lajmin më 15 korrik: “Bashkëshorti im është bërë baba dhe unë bashkë me të. Georg është lumturia jonë e plotë.”
Nga ana juridike, çifti nuk rrezikon pasoja në Gjermani. Sipas ligjit gjerman, përgjegjësi penale mund të kenë vetëm mjekët ose ndërmjetësit e përfshirë në amësinë zëvendësuese. Nuk është e ndaluar të rritet në Gjermani një fëmijë i lindur jashtë vendit nga një nënë zëvendësuese.
A mund të ndahen plotësisht politika dhe jeta private?
Spahn dhe Funke ishin të vetëdijshëm se rasti do të kishte edhe një dimension politik. “E dimë se rreth temës së amësisë zëvendësuese ka shumë pasiguri dhe paragjykime”, tha Funke.
Megjithatë, debati ka shkuar më tej. Shumë kritikë flasin për standarde të dyfishta: a mundet një politikan të përfitojë privatisht nga diçka që politikisht e kundërshton për të gjithë të tjerët?
Në të kaluarën, Spahn ishte shprehur vazhdimisht kritik ndaj amësisë zëvendësuese. Në vitin 2015 ai deklaronte: “Si burrë homoseksual dhe i krishterë, e kam shumë të vështirë të pajtohem me idenë e një barku të marrë me qira.”
Megjithatë, ai pranonte se kjo mund ta vendoste një ditë përballë një dileme personale: “Të pranosh se nuk do të bëhesh baba në mënyrë natyrale kërkon një masë të madhe përulësie. Nuk e di nëse do të jem në gjendje ta bëj këtë.”
“Kam qenë i dyjëzuar për një kohë të gjatë”
Në vitin 2020, kur FDP kërkoi një debat për liberalizimin e amësisë zëvendësuese, Spahn ishte ministër federal i Shëndetësisë dhe e kundërshtoi hapur nismën.
Përveç argumenteve të zakonshme të CDU-së, ai paralajmëronte se amësia zëvendësuese mund të krijonte “vështirësi të veçanta për vetëidentifikimin e fëmijës”. Tani ai thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit ka kaluar një proces reflektimi personal.
“Kam luftuar gjatë me veten për këtë çështje. Kam qenë i ndarë mes bindjeve të mia. Por pikërisht përmes këtij procesi reflektimi dhe angazhimi me temën vendosëm të ndiqnim këtë rrugë.”
Merz tregohet i rezervuar
Debati ka ngritur pyetje edhe për besueshmërinë politike të Spahnit. A duhet politikanët, veçanërisht ata në pozita të larta, të shërbejnë si shembull? Si mund të kërkohet respektimi i ligjeve nga qytetarët kur politikanët i anashkalojnë ato duke shkuar jashtë vendit?
Kancelari dhe kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, deri tani ka shmangur kritikat publike. Kur Spahn e informoi më 10 korrik se ai dhe bashkëshorti i tij do të bëheshin prindër, Merz tha: “E urova.”
Një ditë më vonë shtoi se ishte i vetëdijshëm se tema prek shumë njerëz në aspektin njerëzor, juridik, shoqëror dhe etik. Ai theksoi se Gjermania ka një rregullim të qartë ligjor dhe se nuk sheh arsye për ta ndryshuar atë. Sipas tij, çështja do të diskutohet brenda strukturave të CDU-së.
Tension brenda CDU-së
Spahn nuk është politikani i parë i njohur i CDU-së që është bërë baba përmes një nëne zëvendësuese. Edhe deputeti Hendrik Streeck dhe bashkëshorti i tij ndoqën të njëjtën rrugë në SHBA disa muaj më parë.
Megjithatë, brenda CDU-së ka reagime të forta: Kryetari i degës së CDU-së në Mecklenburg-Vorpommern, Daniel Peters, kërkon dorëheqjen e Spahnit: “Jens Spahn nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar i grupit parlamentar dhe duhet të japë dorëheqjen.”
Sipas tij, Spahn ka një rol të veçantë si model brenda Unionit dhe me veprimin e tij ka anashkaluar me vetëdije frymën e ligjeve gjermane.
Edhe Marion Rosin, kryetare e Unionit të Grave në Thüringen, shprehu kritika të ngjashme. Ndërsa kreu i Unionit të Pensionistëve, Hubert Hüppe, deklaroi: “Jam i tronditur. Amësia zëvendësuese është me të drejtë e ndaluar në Gjermani. Nuk është mirë kur politikanët me pushtet dhe para e anashkalojnë këtë ndalim.”
Edhe opozita kërkon shpjegime
Kritika kanë ardhur edhe nga partitë opozitare. Kathrin Gebel nga Partia e Majtë deklaroi: “Parimet politike duhet të vlejnë edhe kur prekin jetën personale.”
Ndërsa Janosch Dahmen nga Partia e Gjelbër e akuzoi Spahnin për standarde të dyfishta: “Kush promovon rregulla në politikë duhet të shpjegojë në mënyrë bindëse pse ato duket se nuk vlejnë për të vetë.”
Spahn ka deklaruar se vendimin për të ardhmen e tij si kryetar grupi parlamentar do ta lërë në duart e deputetëve të CDU-së dhe CSU-së. “Do të diskutoj me grupin parlamentar se si do të vazhdohet kur të rikthehemi në shtator”, tha ai.
Një skandal tjetër në karrierën e Spahnit?
Jens Spahn ka tejkaluar edhe më parë polemika politike. Gjatë pandemisë së COVID-19 ai u kritikua për blerjen e maskave mbrojtëse me çmime tepër të larta, gjë që çoi më vonë në procese gjyqësore miliardëshe me furnizuesit.
Megjithëse ajo aferë vazhdon ta ndjekë, karriera e tij nuk është dëmtuar. Përkundrazi, ndikimi i tij politik është rritur si kryetar
Megjithatë, këtë herë debati ka edhe një dimension shumë personal.
Në podcastin e fundit, Spahn tha: “Për mua një gjë është e qartë: nuk ka asgjë më të rëndësishme se familja ime. Dhe këtë po e kuptoj gjithnjë e më shumë me çdo orë që kalon.”/DW







