Ballina Kulturë Emily Wilson për reagimin ‘toksik’ ndaj përkthimit të saj radikal të Odisesë

Emily Wilson për reagimin ‘toksik’ ndaj përkthimit të saj radikal të Odisesë

91
0

Në skutat më të errëta të internetit po zhvillohet një debat i ashpër për një përkthim të Odisesë së Homerit. Botuar në vitin 2017 nga studiuesja e letërsisë klasike Emily Wilson, ai thuhet se ka shërbyer si një nga burimet e frymëzimit për adaptimin kinematografik të regjisorit Christopher Nolan, i cili del në kinema më 17 korrik.

Wilson, profesore e studimeve klasike në Universitetin e Pensilvanisë, ka ndarë botën e studiuesve të letërsisë klasike për gati një dekadë. Përkthimi i saj, versioni i parë i plotë në anglisht i Odisesë i realizuar nga një grua, është shkruar në pentametër jambik të rreptë. Ai mbështetet në një bazë të fortë akademike, por përdor një gjuhë të guximshme dhe të modernizuar. Disa e përshëndetën si një arritje poetike revolucionare. Të tjerë e akuzuan për herezi, duke kritikuar gjuhën e saj të përditshme dhe interpretimin politik që, sipas tyre, i ka dhënë veprës.

Mes kolegëve të saj më të njohur, studiuesja Edith Hall shprehu mendimin e shumë të tjerëve kur parashikoi se Wilson do të “zinte vend mes përkthimeve më të rëndësishme të poemës në histori”. Nga ana tjetër, Daniel Mendelsohn, edhe ai përkthyes i Odisesë, ka argumentuar se Wilson “heq shumë nga hollësitë e origjinalit”, duke iu referuar pretendimit se rreth një e treta e tekstit të Homerit mungon në versionin e saj.

Ndër komentuesit në rrjetin X, reagimet kanë qenë pothuajse të gjitha armiqësore. Wilson është akuzuar për “woke-izëm” dhe për “DEI – fikimin” e Homerit. Një postim i majit 2026 e përmbledh mirë këtë qëndrim: “Përkthimi i Emily Wilson-it… është në thelb Odiseja për njerëzit që mendonin se Homeri duhej kaluar përmes një filtri modern të aksesueshmërisë.”

Po vetë Wilson, çfarë mendon?Duke folur nëpërmjet Zoom-it nga shtëpia e saj me diell në Filadelfia, ajo thotë se nuk i kushton shumë vëmendje debatit online.“Tashmë e shmang Twitter-in (tani X)… Më duket dëshpërues.

“Do të ishte bukur të mendoja se ky ishte një dialog serioz për letërsinë, poezinë, përkthimin dhe studimin e greqishtes së lashtë. Kjo do të më pëlqente shumë. Por mendoj se bëhet fjalë për njerëz që kapen pas disa ideve për të forcuar qëndrimet e tyre shumë të kufizuara dhe toksike. Nuk besoj se synimi është të mësojnë diçka, dhe kjo më duket thjesht e trishtueshme.”

Zhgënjimi i Wilson-it tregon një të vërtetë më të gjerë: polemika rreth Odisesë ka më pak të bëjë me ndërlikimet gjuhësore dhe më shumë me luftërat kulturore.

Siç shkruan ajo në librin e saj të ri, Crossing the Wine – Dark Sea: Journeys Through Ancient Literature, poema e Homerit sot konsiderohet “jashtëzakonisht kanonike dhe shpesh shihet si burimi i ‘qytetërimit perëndimor’”.

Kjo duket më qartë se kurrë në politikën e sotme amerikane. Në një fjalim përkujtimor të mbajtur vitin e kaluar pas vrasjes së aktivistit Charlie Kirk, Stephen Miller, zëvendësshefi i kabinetit të Donald Trump-it, përmendi një vazhdimësi qytetërimore nga lashtësia deri te Amerika moderne:“Trashëgimia dhe prejardhja jonë vijnë nga Athina, Roma, Filadelfia dhe Montiçelo. Paraardhësit tanë ndërtuan qytetet. Ata krijuan artin dhe arkitekturën. Ata ndërtuan industrinë.”

“Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme,” thotë Wilson për këtë mënyrë të të menduarit.

“Sigurisht që është e vërtetë se figura si Thomas Jefferson studiuan kushtetutat e Athinës dhe Romës, Kartagjenën e lashtë dhe shoqëri të tjera antike. Nuk është se nuk ka fare një bazë historike.

“Por kjo përzierje mashtruese, e thjeshtuar, historikisht e pasaktë dhe jashtëzakonisht toksike paraqitet sikur të ekzistonte një vijë e drejtpërdrejtë dhe e pandërprerë nga lashtësia deri te ideja se ‘ne jemi trashëgimtarët e athinasve të lashtë’. Natyrisht që kjo nuk është e vërtetë.”

Nëse jeni mësuar ta shihni qytetërimin e lashtë grek dhe romak me admirim të tepruar, mund t’ju duket e çuditshme të dëgjoni në përkthimin e Wilson-it të Odisesë fjalë si “kanape”, “fjalim motivues” apo shprehje si “duhet të bësh shaka”, të thëna nga heronjtë dhe perënditë.

Por Wilson këmbëngul se përdorimi i gjuhës arkaike nuk është gjë tjetër veçse një zgjedhje stilistike, e cila krijon përshtypjen e gabuar se madhështia e gjuhës është e barabartë me dijen dhe autoritetin.

“Homeri im,” shkruan ajo në parathënien e përkthimit, “nuk flet anglishten e gjyshërve tuaj, sepse ajo gjuhë nuk është më afër detit ngjyrë vere sesa është anglishtja juaj e sotme.”

Wilson u dashurua me botën e lashtë që në fëmijëri. E lindur në Britani në vitin 1971, ajo është vajza e akademikes së ndjerë Katherine Duncan – Jones dhe kritikut A.N. Wilson. Kur ishte në shkollën fillore, ajo luajti rolin e Athinës në një shfaqje të bazuar te Odiseja. Më pas studioi latinisht dhe greqisht, përpara se të studionte Letërsi Klasike në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 1996 u shpërngul në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur studimet e doktoraturës në Universitetin Yale.

Prirja e saj për teatrin dhe interpretimin është forcuar me kalimin e viteve. Ajo është bërë e njohur për leximet e saj plot energji të Homerit, ku u jep jetë personazheve të eposit me zëra të imagjinuar, gjeste shprehëse, ndonjëherë duket sikur do t’i shkulë flokët nga emocioni, dhe citime të shpeshta në greqishten e lashtë.

“Njerëzit shpesh duartrokasin kur lexoj pak në greqishten e lashtë,” thotë ajo. “Dhe më pëlqen shumë që njerëzit emocionohen kur e dëgjojnë.”

Përkushtimi i Wilson-it ndaj botës homerike shihet edhe në trupin e saj, ku ka bërë disa tatuazhe.

“Në këmbë kam një shtizë dhe një hark për Iliadën dhe Odisenë, që përfaqësojnë Athinën dhe Odisenë. Kam edhe një oktapod që simbolizon Odisenë, aftësinë për t’u përshtatur dhe shumëllojshmërinë e karakterit të tij. Në krahun tjetër kam kuajt e Akilit, kuajt e pavdekshëm që i thonë Akilit se do të vdesë… Një tatuazh është i përhershëm. Dhe ajo që është e përhershme për mua është Homeri.”

Megjithatë, ajo thekson se duhet të “rimendojmë gjithçka” lidhur me përkthimin e teksteve klasike. Për shumë njerëz, përmendja e letërsisë klasike sjell ndër mend libra të vjetër të mbuluar me pluhur dhe profesorë të moshuar e konservatorë. Për Wilson-in nuk është aspak kështu.

Mes “20 Rregullave të përkthimit” që ajo paraqet në librin Crossing the Wine-Dark Sea është edhe kjo:“Nëse askush nuk kundërshton asnjë nga zgjedhjet që bën, atëherë zgjedhjet e tua janë tepër të kujdesshme.”

Ndoshta kjo është edhe këshilla që do t’i ishte dhënë Christopher Nolanit, duke gjykuar nga polemikat që filmi i tij Odiseja ka shkaktuar ende pa dalë në kinema.

Për shembull, vendimi i tij për t’i besuar rolin e Helenës së Trojës aktores keniano-meksikane Lupita Nyong’o ka nxitur kritika të forta, mes tyre edhe nga Elon Musk, i cili deklaroi se “Chris Nolani po përdhos varrin e Homerit”.

(Ndërkohë, siç vëren autori i artikullit, shumë grekë ankohen se aktorët grekë janë pothuajse të papërfaqësuar në kast, ku shumica flasin me theks amerikan.)

Thuhet se skenari i Nolanit mbështetet në masë të madhe te përkthimi i Wilson-it. Megjithatë, ajo thotë se regjisori nuk i ka kërkuar drejtpërdrejt ndihmë dhe shprehet optimiste për filmin.

“Mendoj se do të jetë argëtues… Shpresoj që të bëjë më shumë njerëz të kthehen te vepra origjinale.”

Sipas saj, poema e Homerit përputhet natyrshëm me temat që Nolani ka trajtuar edhe në filmat e tij të mëparshëm.

“Janë të njëjtat motive që kemi parë pothuajse në çdo film të tij, historia e një burri të vetëm që ndjek një mision, ndërsa një personazh femër e pret.”

Matt Damon, i cili interpreton Odisenë, nuk do të kishte qenë zgjedhja e parë e Wilson-it.

“Megjithatë, roli i tij në The Talented Mr. Ripley ishte përgatitja më e mirë… Aty tregoi se di të luajë një njeri dinak.”

Në fakt, zgjedhja e saj ideale për rolin kryesor do të kishte qenë Samuel L. Jackson.

“Ai di të tregojë një njeri shumë të zgjuar, të shkathët, me humor dhe që arrin të dominojë çdo ambient.”

Hapi i radhës i Wilson-it është ambicioz, por jo i papritur, duke pasur parasysh përkushtimin e saj ndaj Homerit.

“Në fakt po e ripërkthej Odisenë nga e para. Gjatë fazës së fundit të përkthimit tim të vitit 2017, fillova të ndieja se kufizimi për ta përkthyer varg për varg ishte paksa tepër i ngushtë. M’u duk se, po të kisha vetëm disa rrokje më shumë, do të mund të bëja pak më tepër. Kështu që po e ribëj të gjithën.”

“Mendoj se do të dalë shumë mirë.”