Ballina Kronika In Memoriam/ Nga 11-vjeçari përkthyes gjatë trazirave të ’97, te korrespondent i...

In Memoriam/ Nga 11-vjeçari përkthyes gjatë trazirave të ’97, te korrespondent i Rai-t! Rrugëtimi i Enrik Mehmetit, gazetarit të News24 që u bë zëri i Vlorës për mbi 20 vite

106
0

Gazetari i News24, Enrik Mehmeti u shua në moshën 40-vjeçare në një aksident tragjik me motor në plazhin e Porto-Novës në Vlorë.

I apasionuar pas Lajmit të Fundit, por u bë lajmi më i pabesueshëm dhe më i trishtë për këdo që pati fatin ta njohë, të bisedojë dhe të punojë me të, Enrik Mehmeti la pas një karrierë të gjatë e të begatë në median e shkruar e vizive.

Ai iu bashkua News24 që në ditët e para të themelimit të televizionit, duke raportuar me përkushtim dhe profesionalizëm për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, nga kronika e zezë, operacionet e bujshme policore, problematikat sociale, turizmi etj., duke lënë pas një humbje të madhe për familjen mediatike Focus Media Group.

Me guxim të jashtëzakonshëm që kur ishte fëmijë, në plumbat që vërshëllenin pranë tij në vitin famëkeq 1997, Enrik Mehmeti asokohe vetëm 11 vjeç iu bashkua kampit misionar “Alba” si përkthyes, duke u bërë kështu zëri i të pamundurve.

Në guximin e fëmijës, të burrëruar ende pa u rritur, Enrik Mehmeti siç ka deklaruar më parë, kuptoi se gazetaria ishte misioni i tij i jetës, duke rendur jo thjesht në kërkim të lajmit, por lajmi ndodhte atje ku ai ishte, në kohë reale.

Me vendosmërinë si forcë të karakterit të tij dhe fjalën si mjetin më të fuqishëm të gazetarit, ai iu bashkua si korrespondent edhe televizionit “Rai” në Itali, duke transmetuar drejtpërdrejt ngjarje nga Shqipëria.

Largimi i parakohshëm nga jeta, është një humbje e madhe për komunitetin e gazetarëve, humbje për Vlorën e vlonjatët, për të cilët u bë zëri i munguar dhe imazhi që i përfaqësonte!