Një mesazh simbolik është shfaqur në bulevardin përpara Kryeministrisë, në ditën kur Kuvendi zhvillon një nga seancat e fundit plenare.
Me shkronja të mëdha në shesh është vendosur shënimi “23 Korrik”, që lidhet me thirrjen e radhës për qytetarët për t’u mbledhur në protestë dhe për të vijuar rezistencën e tyre kundër qeverisë.
Shkrimi është realizuar në të njëjtin vend ku prej ditësh zhvillohen tubimet qytetare, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë aksionin e tyre deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Edhe gjatë ditës së sotme qytetarët u mblodhën para Parlamentit, në kohën kur zhvillohej seanca plenare.
Gjatë protestës nuk munguan akuzat ndaj deputetëve, të cilët u cilësuan nga protestuesit si “deputetë të krimit”, ndërsa pati edhe incidente simbolike me hedhje vezësh ndaj disa ligjvënësve.







