Ballina Aktualitet Myzyri “zë mend” nga SPAK, “kap” Pogajn në flagrancë/ Përmbysen tenderat...

Myzyri “zë mend” nga SPAK, “kap” Pogajn në flagrancë/ Përmbysen tenderat 15 mln euro për spitalin të Korçës dhe lavanderinë e Shefqet Ndroqit

110
0

Dy tendera të Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara me vlerë 15 milionë euro, të cilët dyshoheshin se ishin paracaktuar përmes kritereve të qepura si kostum, janë përmbysur pas ndërrimit të drejtorëve.

Jonaid Myzyri, kreu i ri i OBP, ka ndërhyrë në momentin e fundit për të ndryshuar kriteret e dy kontratave të majme të shpallura nga ish drejtoresha Arlinda Pogaj, atë për ndërtimin e spitalit të ri të Korçës dhe shërbimin e lavanderisë për spitalin Shefqet Ndroqi. Këto kritere kufizonin ndjeshëm garën dhe me sa duket kishin qëllimin për të paracaktuar fituesit.

Spitali i Korçës
Tenderi për ndërtimin e godinës së re multifunksionale të Spitalit të Korçës u shpall në 12 qershor. Ky tender kishte një fond limit prej 1 miliardë e 164 milionë lekë ose rreth 12.4 milionë euro.

Sipas dokumentave të publikuara në KPP, fituesi i tenderit do të shpallej përmes një formule, ku çmimi kishte vetëm 55 për qind të pikëve, ndërsa 25 pikë ishin për eksperiencën me punë të ngjashme dhe nga 10 pikë caktuar për punësimin e të papunëve dhe garancinë e punimeve e pajisjeve.

Paralelisht brenda kriterit të punëve të ngjashme kërkohej që kompania fituese duhet të kishte të ndërtuar ose rikonstruktuar të paktën 14 mijë e 500 metra katrorë objekte spitalore në 5 vitet e fundit, një marifet teknik djallëzor, i cili e ngushtonte rrethin e garuesve dhe praktikisht paracaktonte fituesin.

Myzyri "kap" Pogajn në flagrancë/ Përmbysen tenderat 15

Kriteret e Pogajt

Por një javë pas shpalljes së proçedurës qeveria vendosi të shkarkojë Arlinda Pogajn dhe të emërojë në krye të Blerjeve të Përqendruara Jonaid Myzyrin. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Myzyri ka ndërhyrë në dokumentat e tenderit duke ndryshuar rrënjësisht kriteret e shpalljes së fituesit.

Formula e re rriti peshën e pikëve të çmimit nga 55 për qind në 70 për qind. Eksperienca e punëve të ngjashme u hoq fare nga sistemi i pikëzimit, ashtu dhe kriteri që fituesi të kishte ndërtuar 14 mijë e 500 metër katrorë objekte spitalore.

Myzyri "kap" Pogajn në flagrancë/ Përmbysen tenderat 15

Kriteret e Myzyrit

Një burim i tha Kapitalit se tenderi i ndërtimit të spitalit të Korçës ishte paracaktuar për një kompani, e cila ka ndërtuar Pediatrinë dhe Spitalin Infektiv në Tiranë dhe që vetëm para pak ditësh u përfshi në një skandal të rëndë duke kërcënuar një gazetar në detyrë.

Por pas ndryshimit të kritereve në garën e zhvilluar në datën 13 korrik, kompania favorite rezulton Dion-Al, e cila ka ofruar çmim 35 për qind më të ulët se fondi limit.

Lavanderia e Shefqet Ndroqit

Tenderi për shërbimin e lavanderisë së spitalit Shefqet Ndroqi u shpall në 10 qershor. Ky tender kishte një fond limit prej 251.3 milionë lekësh ose mbi 2.6 milionë euro dhe ishte përcaktuar të zhvillohej në 6 korrik.

Por vetëm pak ditë para zhvillimit të garës, Operatori i Blerjeve të përqendruara ka ndërhyrë duke ndryshuar kriteret e kualifikimit dhe shpalljes së fituesit. Sipas dokumentave të publikuara në APP, u ndryshua numri i punonjësve që kërkohej nga 23 punonjës që ishte në variantin fillestar, në 18 punonjës.

Myzyri "kap" Pogajn në flagrancë/ Përmbysen tenderat 15

Ndryshimi i kritereve per tenderin e lavanderise

Po ashtu u ndryshua numri i makinerive të kërkuara si dhe ndryshuan një sërë kriteresh të tjera teknike. Për rrjedhojë gara u shty edhe me 10 ditë duke u caktuar në 17 korrik.

Kapitali ka mundur të gjurmojë vetëm këto vetëm dy proçedura të cilët janë përmbysur pas ndërrimit të drejtorëve, por vala e ndryshimeve pas ndërrimit të drejtorëve ka përfshirë shumë më tepër proçedura.

Ky fakt në vetvete është një indicie shumë e fortë për prokurorinë, teksa drejtorët e Rilindjes i nxjerrin bojën njëri tjetrit në aferat e hajnisë./Kapitali