Analisti Andi Tela, duke komentuar 51 ditët e protestës qytetare, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, protesta vazhdon dhe nuk është fikur edhe pse në numra më të vegjël. Ai u shpreh se protesta duke mos qenë forcë politike, ka për mision të drejtojë vendin drejt një qeverie teknike.
“Kjo protestë është pasqyrë e zhgënjimit 36-vjeçar. Nëse do të shohim numrat në 2-3 javët e para pati pika kulminante, por edhe sot ka në protestë nga gjithë konglomerati, në numra më të vegjël, nga arsye nga më të ndryshme, nga frika, nga organizatorët, por protesta vazhdon dhe nuk është fikur.
Ne duhet të kërkojmë që kjo të vazhdojë. Rama dhe maxhoranca është e interesuar që kjo të shuhet, opozita është e interesuar ta shfrytëzojë këtë si i shkon për shtat, por protesta është kundër të dyja palëve.
Janë zhgënjyer nga të dyja palët. Duke qenë konglomerat i madh me ide të ndryshme nuk mund të kërkojmë që kjo të krijojë një subjekt politik. Nuk janë as sindikatë as forcë politike dhe për këtë arsye misioni është të drejtojë vendin drejt dorëheqjes së qeverisë, ndryshimit të kodit zgjedhor dhe kushtetutës që të ketë mundësi përfaqësimi të barabartë dhe zgjedhje të ndershme, sepse jemi në një autokraci elektorale”- tha Tela.







