Ballina Ekonomia Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo...

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

62
0

Shqipëria renditet e gjashta në botë për numrin e mbërritjeve turistike ndërkombëtare në raport me popullsinë, me 4.83 mbërritje për çdo banor. Vendi pozicionohet menjëherë pas disa prej destinacioneve më të vogla dhe më të varura nga turizmi në botë, ndërsa lë pas destinacione të konsoliduara si Bahamas, Kroacia dhe Mali i Zi.

Rritja e flukseve turistike po shoqërohet edhe me zgjerimin e trafikut ajror. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti 11,640,044 pasagjerë gjatë vitit 2025, me një rritje prej 9% krahasuar me një vit më parë. Vetëm në gusht trafiku arriti në mbi 1.4 milion pasagjerë, ndërsa në korrik u regjistruan rreth 1.29 milion pasagjerë.

Renditja ndërkombëtare bazohet në të dhënat e UN Tourism për vitin 2024, të kombinuara me të dhënat për popullsinë nga platforma “Our World in Data”, të përpunuara nga Visual Capitalist. Treguesi mat numrin e udhëtimeve të vizitorëve ndërkombëtarë që qëndrojnë të paktën një natë, në raport me popullsinë rezidente të vendit. Çdo udhëtim llogaritet më vete, që do të thotë se i njëjti person mund të regjistrohet disa herë nëse e viziton vendin më shumë se një herë gjatë vitit.

Në krye të renditjes qëndron Andorra, me 50.86 mbërritje turistike për çdo banor, një nivel më shumë se pesë herë më i lartë se Monako, që renditet i dyti me 9.01. Malta zë vendin e tretë me 6.26 mbërritje për banor, e ndjekur nga Islanda me 5.58 dhe Palau me 5.28.

Shqipëria, me 4.83 mbërritje për banor, është vendi i parë në renditje që nuk është mikro-shtet apo territor ishullor me një popullsi shumë të vogël. Pas saj renditen Bahamas me 4.66, Bahreini me 4.17 dhe Kroacia me 3.97 mbërritje për banor.

Në Ballkan, Shqipëria ka raportin më të lartë të turistëve ndaj popullsisë. Mali i Zi renditet në vendin e 11-të në botë me 3.26 mbërritje për banor, ndërsa Greqia regjistron rreth 2.7. Kroacia, megjithëse pret një numër të madh turistësh dhe ka një industri të konsoliduar bregdetare, qëndron poshtë Shqipërisë me rreth katër mbërritje për çdo banor.