Ballina Kronika HIMARE/ Shkoi nga Elbasani si grup mbështetës, punonjësi i OSHEE-së humb jetën...

HIMARE/ Shkoi nga Elbasani si grup mbështetës, punonjësi i OSHEE-së humb jetën gjatë ndërhyrjes për rregullimin e defektit

64
0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Himarë, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i identifikuar si Bashkim Boçi, ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Burime paraprake bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike po punonin për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.

Viktima është një 55-vjeçar me origjinë nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet e terrenit në riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjet. Gjatë ndërhyrjes, ai ka pësuar një incident fatal. Dyshimet e para janë se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me energjinë elektrike, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur menjëherë veprimet në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat e aksidentit, ndërsa autoritetet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si ndodhi kjo ngjarje tragjike. Kujtojmë se dje Himara dhe zona bregdetare e vendit u përfshi nga stuhi të forta, duke sjellë edhe dëme materiale, si dhe defekte te linjave elektrike.