Stuhia e fuqishme që ka përfshirë zonën bregdetare të Sarandës ka shkaktuar probleme për disa mjete lundruese, duke detyruar ndërhyrjen e Policisë Kufitare. Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë ka ndërhyrë në 8 raste për shpëtimin e mjeteve lundruese në det, duke u ardhur në ndihmë drejtuesve të tyre dhe duke shmangur situata më të rënda.
Sipas informacionit zyrtar, tre mjete lundruese kanë marrë ndihmë në zonën e Bunecit dhe më pas janë transportuar drejt portit të Limjonit. Ndërkohë, dy mjete të tjera janë përballur me vështirësi për shkak të furtunës pranë Kepit të Qefalit. Për shpëtimin e tyre ka ndërhyrë skafi i Policisë Kufitare BP 11, ndërsa njëri prej mjeteve është rimorkiuar drejt portit të Limjonit.
Një tjetër mjet lundrues, që ndodhej në rrezik mbytjeje në Gjirin e Sarandës, është tërhequr nga shërbimet dhe është ankoruar në portin e Sarandës. Gjithashtu, dy mjete kanë marrë ndihmë në zonën e quajtur “Pema e Thatë” në Ksamil. Si pasojë e forcës së stuhisë, dy skafe që ndodheshin të ankoruara në portin e Limjonit janë zhvendosur rreth 100 metra larg bregut dhe më pas janë fundosur.
Policia Kufitare Sarandë vijon patrullimin në det me të gjitha mjetet lundruese, për të reaguar ndaj çdo situate emergjente apo avarie të mundshme.







