Monitorimi nga APP është zhvendosur te Spitali Rajonal i Durrësit, duke forcuar përshtypjen se institucionet spitalore po shfaqen gjithnjë e më shpesh në listën e problematikave të APP-së, me shkelje në procedurat e prokurimit në sektorin shëndetësor
Sipas vendimit nr. 36, datë 22 korrik 2026, APP ka monitoruar një kontratë për furnizim me mallra, pas një ankese të paraqitur nga një palë e tretë. Nga verifikimet ka rezultuar se autoriteti kontraktor nuk ka provuar se janë kryer kontrollet e nevojshme për të garantuar që mallrat e dorëzuara përmbushnin specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Një tjetër konstatim i rëndësishëm lidhet me mungesën e verifikimit të deklaratës së operatorit ekonomik për prodhuesin e mallit, dokument mbi bazën e të cilit kompania ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit. APP evidenton gjithashtu se Spitali Rajonal i Durrësit nuk ka dëshmuar hartimin e formularit të raportimit për zbatimin e kontratës, një detyrim i parashikuar nga legjislacioni për prokurimin publik.
Për këto shkelje, APP ka vendosur t’i propozojë autoritetit kontraktor marrjen e masave disiplinore ndaj katër personave përgjegjës, duke vlerësuar se janë konstatuar mangësi në administrimin dhe monitorimin e kontratës.







