Ballina Editorial (Pa)Besa e Edi Ramës!

(Pa)Besa e Edi Ramës!

65
0

Nga Sidi Hasanaj 

Fjalimi i sotëm i Edi Ramës ishte fjalimi i tij i përhershëm, i një lideri patetik, me frymën që i merrej sa herë kishte presje në fjalitë e tij, si për të treguar se ky po vuante dhe po sakrifikohej me shqetësimet e protestuesve dhe situatën e ndezur në administratën e tij.

I njëjti fjalim që ka mbajtur ndër vite sa herë ka qenë në situata skandalesh qeveritare apo revolte masive të qytetarëve të tij.

Një fjalim i mbushur me metafora dhe figura letrare, lojëra fjalësh të artikuluara me delir nga dikush që ka bindjen se është nxënësi i Nolit dhe Konicës; romantizëm dhe dramatizëm ekstrem për të thënë në fund se:

Protestuesit, flamingot, janë në shesh sepse arroganca e qeverisë së tij nuk ka treguar empatinë e duhur me qytetarët; nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre me shpjegimet e duhura, edhe kur nuk realizohen dot kërkesat e tyre, si në rastin e fermerit nga Lushnja, Arbërit…

Madje, aq patetik dhe delirant u tregua sot Edi, sa u bëri thirrje deputetëve të tij që kanë edhe detyrën t’u shpjegojnë njerëzve se “fitimi i pakrijuar ende në xhepat e tyre, por i garantuar nga projektet e qeverisë, bëhet i paperceptueshëm për ta dhe, teksa ata nuk pyesin, socialistët duhet t’u shpjegojnë se lekët që nuk ndodhen sot në xhepat e tyre do të jenë nesër”. Hahaha, çfarë cinizmi mizorisht sarkastik!

Edi, e di si është puna? Sot faji nuk qëndron vetëm te ti, por te Noli dhe Konica që të kanë mbushur mendjen se te ta do të gjesh modelin e kryeministrit që i duhet Shqipërisë në vitin 2026.

Edi, ata janë shkrimtarë të mirë. Ti jo. Por askush prej jush të treve nuk i duhet zgjidhjeve që kërkojnë problemet e vendit sot!

Pse mo Edi, problemet e arrogancës dhe “mungesa e empatisë”,  hahaha… janë gjeneratori i pakënaqësisë që nxori njerëzit në protestë?
Fakti që “nuk u qan hallin”?

Edi… mendohu mirë!

Është sistemi që ke krijuar, Edi, që s’ka problem fare me empatinë apo arrogancën e administratës tënde!

Paradoksalisht është “Besa”, Edi, që ti mendon se do të jetë zgjidhja e problemit,  ajo është shkaku i protestës.

Besa që u ke dhënë oligarkëve, me statusin e investitorit strategjik që në 13 vite ka shkatërruar ekonominë shqiptare, duke i kthyer në ngrehina betoni perlat natyrore të bregdetit, sepse oligarkët e tu bombarduan me raketa betoni dhe plumba asfalti Dhërmiun, Rradhimën, Jalën, Palasën, Sarandën, Ksamilin, dhe tani po hedhin bombat e betonit mbi Zvërnecin, Darëzezën e deri lart në Veri, në Ranën e Hedhun, Edi!

Problemi është modeli ekonomik që ti ke krijuar, Edi, me inceneratorë fantazmë, me oligopole në sektorin e karburanteve, me kullat e financuara nga Aruba dhe Ekuadori, me tenderat ku, si aktori kryesor ekonomik në treg (qeveria jote), zgjedh kë do të bësh të pasur brenda natës… tenderat që rëndojnë me miliarda euro vjedhje në dosjet e Belindës, Ahmetajt, Veliajt e Beqjes, Edi!
PPP-të dhe koncesionet që fryjnë gushën e Lucës, plasin barkun e Samirit dhe ënjtin kokën XXL të Kastratit, Edi!

Problemi është te Besa, Edi, që ke me ortakut tënd më të madh, Berishën!

Teksa me Shtufin dhe kokainën ngrini së bashku kulla sa një mal i Tiranës, kullat e “Bolit”, e Beshirit pas Pallatit të Kongreseve, Edi!

Modeli yt ekonomik është problemi, Edi, jo arroganca apo mungesa e empatisë së administratës tënde!

Edi, lëri Nolin dhe Konicën për pas pune, se me semantikë dhe mjeshtëri fjale nuk zgjidh dot asgjë! Hidhi njëherë sytë nga Friedman, Hayek, madje edhe te Draghi, Edi, sepse e di cili është bilanci yt dhe njëkohësisht problemi yt:

1. Të ardhurat për frymë

(GDP per capita në Standardin e Fuqisë Blerëse PPS)

Shqipëria ka rreth 35% deri në 40% të mesatares së BE-së për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse.

Një shqiptar blen rreth 1/3 e asaj që blen mesatarisht një europian, Edi… sa një afrikan, Edi!!!

2. Pagat mesatare (Shqipëri kundrejt BE)

Paga bruto mesatare kombëtare ka arritur në 800 euro bruto në muaj Edi,  teksa në vendet e Bashkimit Europian, paga mesatare bruto varion nga rreth 1,500 euro në muaj në vendet e Europës Lindore (si Bullgaria) deri në mbi 3,000–4,000 euro në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore.

Përsëri, kjo do të thotë se paga në Shqipëri është sa 20% deri në 30% e mesatares së BE-së; përsëri sa një afrikan, Edi!!!

3. Pensionet

Pensioni mesatar mujor në Shqipëri është afro 180 euro.
Niveli i pensioneve në Shqipëri është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me BE-në, ku pensioni mesatar në shumë vende anëtare lëviz nga 1000 deri në mbi 2,000 euro në muaj.

Pensioni në Shqipëri përbën vetëm rreth 10% deri në 15% të mesatares së pensioneve në Bashkimin Europian, përsëri si në Afrikë, Edi!!!

Shpërndarja e pasurisë në Shqipëri, Edi:

Sipas Eurostat dhe Bankës Botërore, pjesa dërrmuese e individëve në Shqipëri, mbi 73.3%, kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë për frymë.

• 73.3% kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë për frymë.
• Rreth 26% e popullsisë kanë pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Njësoj si në Afrikë përsëri, Edi!!!

Ndërkohë oligarkët e tu, rreth 0.7%, duke vrarë konkurrencën, kanë rreth 70% të pasurisë, Edi!

Besa që ke krijuar me këtë sistem është problemi, Edi, dhe zgjidhja vjen vetëm nga largimi yt bashkë me ortakun në opozitë!