Deputetja e PD-së rikujton amendamentet e saj për mbrojtjen e pronës dhe nismën e vitit 2022 për ndalimin e efekteve të ligjit: “Ata që e krijuan këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë”
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në “Këndin e Fundjavës” ka rindërtuar kronologjinë e Ligjit për Investimet Strategjike, nga miratimi i tij në vitin 2015 deri te zgjatjet e vazhdueshme dhe debatet e sotme për shfuqizimin e tij.
Tabaku kujtoi se ligji u prezantua fillimisht si një instrument i përkohshëm, që synonte të tërhiqte investitorë të huaj dhe të nxiste investime në sektorët strategjikë të ekonomisë. Por, sipas saj, pas një dekade zbatimi, ai është kthyer në një mekanizëm për shpërndarjen pa garë të aseteve dhe pronave publike te një grup i kufizuar përfituesish.
Deputetja demokrate deklaroi se ligji është ndryshuar nëntë herë, ndërsa gjashtë prej ndërhyrjeve kanë pasur si qëllim vetëm shtyrjen e afatit të tij.
“Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin”, u shpreh Tabaku.
Ajo rikujtoi se, që në momentin e miratimit të ligjit në vitin 2015, kishte propozuar disa amendamente që synonin mbrojtjen e pronës private dhe ndalimin e ndërhyrjes së shtetit në marrëdhëniet ndërmjet dy pronarëve privatë.
Sipas Tabakut, amendamentet synonin të pengonin marrjen e pronës së një qytetari me çmim reference për t’ia kaluar më pas një subjekti tjetër privat, por ato u rrëzuan nga votat e mazhorancës socialiste.
Deputetja e PD-së u ndal edhe te nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit. Ajo tha se propozimi u rrëzua me argumentin e përfaqësuesve të qeverisë se ligji kishte qenë i dobishëm dhe se po punohej për një kuadër të ri e të përhershëm për investimet.
Tabaku theksoi se ligji i ri i premtuar nuk u miratua, ndërsa afati i Ligjit për Investimet Strategjike vijoi të shtyhej. Para zgjedhjeve të vitit 2025, mazhoranca e zgjati zbatimin e tij deri më 31 dhjetor 2026.
Ajo e lidhi këtë model edhe me ndryshimet në ligjin për portet turistike, të cilat, sipas saj, u krijojnë investitorëve strategjikë mundësinë të ndërtojnë dhe operojnë porte pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme konkurruese.
Tabaku solli si shembull projektin “Durrës Marina”, duke e cilësuar atë një rast të mungesës së konkurrencës dhe të përdorimit të aseteve publike në favor të subjekteve të përzgjedhura nga qeveria.
Sipas deputetes demokrate, një qeveri që e ka mbajtur në fuqi për më shumë se një dekadë një ligj të tillë nuk mund të jetë e besueshme kur premton shfuqizimin e tij apo një “besëlidhje të re” me qytetarët.
“Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë? Sa mund t’u besohet atyre që plot gjashtë herë e kanë ndryshuar ligjin vetëm për t’i shtyrë afatin dhe asnjëherë për të përmirësuar konkurrencën, meritokracinë apo garën në ekonomi?”, deklaroi Tabaku.
Për deputeten e PD-së, Ligji për Investimet Strategjike është një nga shembujt më të qartë të ligjeve me porosi, ndërsa Parlamenti është përdorur si “noter i qeverisë” për interesa të ngushta.
“Këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë ata që e krijuan, e konceptuan, e votuan dhe e zbatuan. Këtë sistem do ta ndryshojë shoqëria shqiptare. Shfuqizimi i këtij ligji është heqja e njërës prej tullave mbi të cilat është ngritur sistemi i favoreve”, përfundoi Tabaku.







