Albumi ikonë i Oasis, “(What’s the Story) Morning Glory?”, ka kaluar zyrtarisht “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band” të “The Beatles” në renditjen e albumeve më të suksesshme të të gjitha kohërave në Britaninë e Madhe, sipas BBC.
Sipas listës së publikuar nga “Official Charts Company”, me rastin e 70-vjetorit të klasifikimit javor të albumeve në Britani, albumi i vitit 1995 i vëllezërve Gallagher është ngjitur në vendin e tretë, ndërsa kryevepra e “The Beatles” e vitit 1967 ka zbritur në vendin e pestë.
Albumi “(What’s the Story) Morning Glory?”, i cili përmban këngë të njohura si “Wonderwall”, “Don’t Look Back in Anger”, “Champagne Supernova” dhe “Some Might Say”, ka grumbulluar 6.2 milionë njësi në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë shitjet fizike, ato digjitale dhe dëgjimet në platformat e transmetimit.
Interesi për muzikën e “Oasis” u rrit ndjeshëm pas ribashkimit të grupit dhe turneut botëror të vitit 2025, ku repertori u mbështet kryesisht te këngët e këtij albumi. Kjo ndikoi në rikthimin e tij në krye të klasifikimeve dhe në rritjen e dëgjimeve në platformat muzikore.
Në krye të renditjes historike vazhdon të mbetet albumi “Greatest Hits” i “Queen”, ndërsa vendin e dytë e mban “Gold” i “ABBA”. Albumi “21” i Adele renditet i katërti, duke u pozicionuar mes “Oasis” dhe “The Beatles”.
Kur u publikua në tetor të vitit 1995, “(What’s the Story) Morning Glory?” mori vlerësime të ndryshme nga kritika muzikore britanike, por me kalimin e viteve u shndërrua në një nga albumet më të rëndësishme të rock-ut britanik. Ai fitoi çmimin për Albumin Britanik të Vitit në ceremoninë “Brit Awards 1996 “dhe vazhdon të konsiderohet një nga veprat më të suksesshme në historinë e muzikës.
Përfaqësuesit e “Official Charts Company” e përshkruan albumin si një vepër që, edhe pas tre dekadash, vazhdon të bashkojë breza të ndryshëm, të mbushë stadiume dhe të mbetet pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore britanike.







