Ballina Aktualitet Përplasje në Këshillin Bashkiak të Tiranës, socialistët kërkojnë llogari për delegimet dhe...

Përplasje në Këshillin Bashkiak të Tiranës, socialistët kërkojnë llogari për delegimet dhe moszbatimin e vendimit të gjykatës

63
0

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje brenda shumicës socialiste, ku një pjesë e këshilltarëve kanë kërkuar llogari nga administrata e Bashkisë për mënyrën e ushtrimit të kompetencave dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Sipas burimeve nga mbledhja, një nga çështjet kryesore të debatit ishte delegimi nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, i një zëvendëskryetari për të prezantuar dhe mbrojtur projektvendimet në Këshillin Bashkiak. Këshilltarët ngritën pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtij delegimi, duke argumentuar se zëvendëskryetari i deleguar nuk është emëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Debati u shoqërua edhe me kritika ndaj mungesës së Anuela Ristanit, e cila, sipas burimeve, ndodhet me leje verore për herë të dytë brenda të njëjtit sezon, ndërkohë që Këshilli Bashkiak po shqyrtonte akte me rëndësi për qytetarët.

Gjatë diskutimeve, këshilltarët socialistë kërkuan gjithashtu llogari për moszbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative për rikthimin në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, duke ngritur shqetësimin se vendimet gjyqësore duhet të ekzekutohen pa vonesa nga administrata publike.

Një tjetër moment që shkaktoi debat ishte ndërhyrja e këshilltarit socialist Luan Bregasi, i cili mbrojti qëndrimin se çdo zëvendëskryetar i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të prezantojë aktet e administratës. Ky interpretim u kundërshtua nga disa këshilltarë, të cilët argumentuan se ai nuk përputhet me parashikimet e Rregullores së Këshillit Bashkiak, e cila, sipas tyre, përcakton qartë mënyrën e përfaqësimit të administratës në mbledhjet e Këshillit.

Debatet nxorën në pah tensione brenda shumicës socialiste dhe kërkesa për më shumë transparencë në administrimin e Bashkisë së Tiranës. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës lidhur me çështjet e ngritura gjatë mbledhjes.