Ballina Kulturë E vërteta për vikingët është më e ndërlikuar nga ç’pranojnë muzetë

E vërteta për vikingët është më e ndërlikuar nga ç’pranojnë muzetë

45
0

Muzetë skandinavë e përdorin historinë e vikingëve për të balancuar mes miteve të njohura, provave arkeologjike dhe identitetit kombëtar modern. Nëse hyni në një muze të madh në Skandinavi, ka shumë mundësi të hasni një ekspozitë kushtuar vikingëve. Vizitorët kanë plot zgjedhje.

Në Kopenhagë, kryeqyteti i Danimarkës, Muzeu Kombëtar i Historisë mban një ekspozitë të përhershme dhe të rëndësishme për vikingët. Muzeu Suedez i Historisë në Stokholm prezanton atë që e përshkruan si ekspozitën më të madhe në botë për Epokën e Vikingëve. Në Oslo, Muzeu i ri Norvegjez i Epokës së Vikingëve, i cili pritet të hapet në vitin 2027, synon të bëhet muzeu më i rëndësishëm i këtij lloji, ndërsa një ekspozitë e përkohshme në Muzeun e Historisë Kulturore paraqet zbulime të rëndësishme arkeologjike nga Epoka e Vikingëve.

Këto ekspozita janë një përgjigje e qartë ndaj interesit të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj. Megjithatë, vëmendja që muzetë kombëtarë skandinavë u kushtojnë vikingëve nuk nxitet vetëm nga kërkesa e publikut. Muzetë e përdorin gjithashtu të kaluarën për të formësuar identitetin kombëtar, dhe historia e vikingëve shpesh paraqitet në mënyra që pasqyrojnë prioritetet dhe vlerat e kohës sonë.

Epoka e vikingëve u bë një pjesë qendrore e ndërtimit të kombeve skandinave gjatë shekullit XIX, kur projektet për krijimin e identitetit kombëtar ishin të përhapura. Që atëherë, vikingët janë shndërruar në simbole të njohura ndërkombëtarisht. Kultura popullore shpesh e paraqet një viking si një burrë të gjatë, me supe të gjera, që mban një shpatë dhe ndoshta ka tatuazhe ose një model modern flokësh, si prerja “skinfade”. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtij imazhi të njohur është e sajuar.

Miti i luftëtarit vazhdon të dominojë

Ekspertët në muzetë kombëtarë skandinavë e dinë se vikingët ishin një grup i larmishëm njerëzish, shumë larg mitit të luftëtarëve vetëm meshkuj. Megjithatë, figura e luftëtarit mashkull viking vazhdon të mbetet e fortë, duke tërhequr vizitorë, por edhe duke “përndjekur” sallat e muzeve si një fantazmë e shqetësuar.

Në tri ekspozitat, vikingu mashkull shfaqet si luftëtar, detar dhe tregtar. Ai paraqitet vazhdimisht edhe si bujk, që kalon ditët duke punuar tokën. Këto paraqitje të jetës bujqësore i japin më shumë thellësi figurës së tij, por mënyra se si janë organizuar ekspozitat zakonisht vendos në plan të parë imazhin më të njohur, jo atë më kompleks.

Një shembull i kësaj gjendet në ekspozitën suedeze, ku thuhet se shumë burra dhe gra të lirë zotëronin armë, por vetëm pak prej tyre e konsideronin veten vërtet luftëtarë. Megjithatë, ekspozita vë në qendër anijet, shpatat dhe objektet që lidhen me tregtinë dhe udhëtimet.

Në Kopenhagë, vizitorëve të Muzeut Kombëtar u thuhet të vizitojnë “ekspozitën tonë për vikingët, ku do të eksplorojmë një botë më shumë se 1000-vjeçare, të formuar nga një kulturë luftëtarësh dhe perënditë Odin, Thor dhe Freyja”. Këtu shohim se si historia e vërtetë përplaset me pritshmëritë e krijuara nga legjendat nordike, luftëtarët dhe perënditë.

Duket se kuratorët përballen me një dilemë: t’u japin vizitorëve atë që presin të shohin, duke u përpjekur njëkohësisht të paraqesin historinë ashtu siç ka qenë në të vërtetë.

Gratë mbeten në periferi

Një tjetër fushë ku vërehet kjo dilemë është mënyra se si paraqiten gratë vikinge. Edhe pse këto institucione po përpiqen t’i përfshijnë gratë në një histori të dominuar prej kohësh nga burrat, përshkrimet e jetës së tyre dhe të ndikimit të tyre shoqëror ose kulturor mbeten të kufizuara.

Ka ekzistuar prej kohësh tradita që të paraqiten vetëm gratë e jashtëzakonshme të Epokës së Vikingëve, si zonjat fisnike ose luftëtare femra, duke i bërë gratë e zakonshme shumë më pak të dukshme. Në raste të tjera, gratë vazhdojnë të paraqiten sipas stereotipeve gjinore, me theks te roli i tyre në shtëpi dhe te veshjet.

Një shembull vjen nga ekspozita daneze, ku thuhet se “mysafirët priteshin nga zonja e shtëpisë, e cila kujdesej për gjithçka që aktiviteti të ishte i suksesshëm. Gratë luanin një rol aktiv në drejtimin e fermës dhe gjithashtu udhëtonin gjerësisht.” Një tjetër shpjegim thotë se “stolitë dhe sendet e gjetura në varret e shumë grave të pasura dhe aristokrate pasqyrojnë rolet e ndërlikuara që ato kishin.”

Përzgjedhja e materialeve në ekspozita lidhet gjithashtu me rrëfimet themeluese të kombeve skandinave.

Historia sipas së cilës Epoka e Vikingëve ishte një moment vendimtar në lindjen e kombeve dhe kulturës shfaqet në forma të ndryshme në të tri ekspozitat. Sipas këtij rrëfimi, gjatë kësaj periudhe Skandinavia u shndërrua nga një grup fisesh pagane të shpërndara dhe të decentralizuara në mbretëri të bashkuara të krishtera. Sot, skandinavët ndryshojnë në mënyrën se si e shohin këtë histori, por ajo vazhdon të ndikojë fuqishëm në mënyrën se si tregohet historia e kësaj periudhe.

Në Danimarkë, historia ndërthuret pa asnjë ndarje me identitetin kombëtar. Kjo është forcuar nga legjenda e HaraldBluetooth-it, një figurë kyçe në ndërtimin e kombit. Bluetooth ishte babai i SweynForkbeard dhe gjyshi i Canute të Madh. Sipas legjendës, ai u kthye në krishterim pasi pa mrekullinë e murgut Poppo, i cili mbajti në duar një copë qymyr të ndezur pa u djegur.

Vlerat moderne po riformësojnë historinë e vikingëve

Disa studiues kanë vënë re se, që nga vitet 1980, Epoka e Vikingëve është përdorur për të ndërtuar rrëfime bashkëkohore të përshtatshme. Për shembull, këto rrëfime theksojnë se në të kaluarën ka pasur kontakte të suksesshme kulturore mes skandinavëve dhe myslimanëve, duke nxjerrë në pah zbulime arkeologjike që dëshmojnë për këto lidhje. Kjo lidhet me dëshirën e sotme në Suedi dhe Norvegji për të krijuar një kundërpeshë ndaj përdorimit nacionalist të Epokës së Vikingëve, i cili shpesh drejtohet kundër myslimanëve.

Siç tregojnë këta shembuj, krijimi i një ekspozite muzeale kërkon një ekuilibër të kujdesshëm mes trajtimit të rrëfimeve tradicionale, të rrënjosura në imagjinatën popullore, dhe paraqitjes së një tabloje sa më të saktë të së kaluarës. Megjithatë, fiksimi i muzeve kombëtarë skandinavë me vikingët mund të shpjegohet edhe nga dëshira e tyre për të paraqitur një të kaluar që lidhet më shumë me gjendjen e shoqërisë së sotme sesa me atë që dihet realisht për botën e vikingëve.