Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike shkruan se gazetarja “ia çmonton narrativën” Ramës brenda pak minutash, duke theksuar se fillimisht kryeministri mohoi ekzistencën e projektit, ndërsa më pas foli për zhvillimin dhe procedurat që lidhen me të. Sipas Berishës, kjo përbën një kontradiktë të qartë, ndërsa ai e akuzon Ramën se gënjeshtra është bërë “mënyra e vetme e mbijetesës politike”.
Reagimi i liderit të opozitës vjen pas intervistës së zhvilluar me gazetaren Lindsey Hilsum, ku kjo e fundit e sfidoi kryeministrin me pyetje mbi projektin në Zvërnec, gardhimin e zonës dhe përdorimin e buldozerëve, duke kundërshtuar disa prej pretendimeve të Ramës me vëzhgimet e saj në terren. Sipas gazetares, në zonë kishte parë punime dhe rrethime, ndërsa banorët i kishin pohuar se rruga ekzistuese ishte e aksesueshme edhe përpara ndërhyrjeve.
Në fund të reagimit të tij, Berisha shkruan: “Kur nuk ke turp, thua çdo gjë dhe bën çdo gjë. Gazetarja e njohur e Channel 4, Lindsey Hilsum, ia çmonton në pak minuta narrativën Edi Ramës. Fillimisht Rama pretendon se nuk ka asnjë projekt. Vetëm pak çaste më vonë nis të flasë për vetë projektin. Gënjeshtra mbetet e vetmja mënyrë mbijetese politike që ai njeh.”







