Spitali Rajonal i Durrësit reagoi pas raportimeve të disa mediave se një shtetas nga Durrësi, me inicialet A.A., 52 vjeç, kishte humbur jetën pasi ishte nxjerrë nga spitali dhe ishte lënë në rrugë. Sipas mjekëve, pacienti është gjallë, ndodhet në repartin e Terapisë Intensive dhe i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale.
Megjithatë, përgënjeshtrimi prek vetëm pjesën e raportimit që lidhej me vdekjen e pacientit. Ngjarja që solli denoncimin publik – fakti që ai ishte nxjerrë nga spitali dhe ishte lënë jashtë tij në gjendje të rënduar – mbetet thelbi i çështjes dhe kërkon ende shpjegime nga institucionet përgjegjëse.
Por në përpjekje për të rrëzuar lajmin mbi vdekjen e pacientit, mjekët e Spitalit Rajonal të Durrësit bënë publike një sërë të dhënash që i përkasin sekretit mjekësor. Ata zbuluan se A.A. është mbartës i HIV-it, përdorues heroine, përfitues i metadonit dhe madje deklaruan se dyshohet të ketë konsumuar heroinë përpara rikthimit në spital, shkruan VNA.
Këto janë të dhëna që i përkasin ekskluzivisht marrëdhënies mes pacientit dhe mjekut. Ato nuk ishin të nevojshme për të provuar se pacienti ishte gjallë dhe nuk mund të përdoren si argument për të përgënjeshtruar një raportim mediatik.
Një pacient, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, varësive apo kushteve sociale, nuk mund të shndërrohet në mjet komunikimi institucional. Detyrimi i mjekut është të mbrojë jetën dhe konfidencialitetin e pacientit, jo të ekspozojë historinë e tij mjekësore për t’iu përgjigjur kritikave publike.
Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: nëse për të përgënjeshtruar një lajm, një institucion shëndetësor publikon diagnoza, sëmundje infektive dhe të dhëna mbi varësitë e pacientit, a është respektuar detyrimi ligjor dhe etik për ruajtjen e sekretit mjekësor? Ky nuk është thjesht një problem komunikimi, por një çështje e të drejtave të pacientit dhe e përgjegjësisë profesionale.







