Prapaskenat e ditëve të fundit në kampin rozë kanë nxjerrë në sipërfaqe një nga krisjet më të papritura brenda mazhorancës parlamentare. Ajo që nisi si një duel pushteti për kontrollin e “institucionit të tenderave” (Komisioni i Prokurimit Publik – KPP), është kthyer në një përplasje direkte mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PS-së, Bledi Çuçi, duke kulmuar me një akt të pazakontë rebelimi gjatë votimit të marrëveshjes ushtarake prej 302 milionë dollarësh me SHBA-të.
Sipas burimeve brenda grupit parlamentar, siç raportoi VNA, zgjedhja e kryetarit të ri të KPP-së ka shkaktuar debate të ashpra me prapavijë të fortë politike. Në finale të kësaj gare hynë dy emra me mbështetje të drejtpërdrejtë nga peshat e rënda të PS-së:
Ulsi Manja loboi deri në pikën e fundit për kandidaturën e Ismail Shehut.
Bledi Çuçi insistoi fort për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Enea Hoti.
Pasi votimi u ndez dhe përçarja kërcënoi disiplinën e grupit, vetë kryeministri Edi Rama zbriti në sallat e Kuvendit. Rama thirri në një mbledhje urgjente krerët e komisioneve parlamentare për t’u bërë me dije vendimin e prerë politik: fitues do të ishte njeriu i Ulsi Manjës, Ismail Shehu.
Kjo lëvizje e Edi Ramës u përjetua si një goditje direkte ndaj autoritetit të Çuçit si drejtues i grupit parlamentar.
Nuk kaloi shumë kohë nga vendimi për KPP-në, kur në Kuvend u soll me procedurë të përshpejtuar marrëveshja sekrete për huanë ushtarake prej 302 milionë dollarësh me SHBA-të.
Në kushte normale institucionale, një marrëveshje ushtarake e klasifikuar e këtij niveli duhej të shqyrtohej në Komisionit për Sigurinë Kombëtare, një komision që drejtohet nga vetë Bledi Çuçi dhe ku anëtarët disponojnë certifikatë sigurie.
Mirëpo, në shenjë ndëshkimi dhe për ta shmangur atë nga vendimmarrja e rëndësishme, Rama e anashkaloi Komisionin e Sigurisë. Projektligji iu delegua Komisionit të Ekonomisë (i drejtuar nga Milva Ekonomi), me argumentin tekniko-financiar se bëhej fjalë “thjesht për një marrëveshje huaje”.
Ndonëse Bledi Çuçi njihet në radhët e socialistëve për profilin e tij stoik dhe zbatimin pa ekuivok të linjës zyrtare të partisë, këtë herë krisja shkoi përtej.
Gjatë seancës ku marrëveshja 302-milionëshe u miratua vetëm me votat e mazhorancës, Çuçi ndodhej fizikisht në sallë. Megjithatë, në momentin kur nisi votimi elektronik, ai refuzoi të votonte, duke regjistruar kështu një nga aktet e rralla të kryengritjes publike ndaj vendimeve të Edi Ramës.
Ky bojkot i heshtur brenda rreshtave të PS-së është një sinjal i qartë se tensionet brenda mazhorancës për kontrollin e burimeve kyçe financiare dhe institucioneve të pavarura po arrijnë pikën kritike







