Ndëshkohen 2 pronarë lokalesh, secili me masë administrative 200 000 lekë të rinj, pasi në lokalet e tyre në Golem, gjenerohej muzikë mbi nivelin e lejuar, gjatë mbrëmjes.
Shërbimet e Stacioneve të Policisë Golem dhe Plazh, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë vijuar kontrollet në terren, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zona turistike, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Nga matjet e realizuara sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, është konstatuar muzikë mbi nivelin e lejuar në 2 lokale në Golem.
Për këtë shkelje, pronarët e këtyre lokaleve, shtetasit G. Gj., 46 vjeç dhe F. S., 30 vjeç, u ndëshkuan secili me masë administrative 200 000 lekë të rinj.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Gjithashtu, vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Policia e Durrësit mbetet e angazhuar për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.







