Ballina Opinion Interesi kombëtar mbi çdo marrëveshje diplomatike

Interesi kombëtar mbi çdo marrëveshje diplomatike

47
0

Sapo u njoha me lajmin që po qarkullon me shpejtësi, sipas të cilit ministri i Jashtëm i Serbisë ka deklaruar se është arritur një dakordësi me homologun shqiptar për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër.

Shpresoj me gjithë zemër që ky lajm të mos jetë i vërtetë.

Shkodra nuk është thjesht një qytet. Shkodra është një nga djepet e identitetit kombëtar shqiptar, një simbol i rezistencës, i kulturës dhe i sakrificës për lirinë e këtij kombi. Çdo vendim që lidhet me të duhet të peshohet jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në atë historik e kombëtar.

Sot, kur Serbia ende refuzon të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, kur vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe shpesh përdor një gjuhë që nxit tensione në rajon, lind natyrshëm pyetja: çfarë interesi strategjik i shërben Shqipërisë një konsullatë serbe në zemër të veriut shqiptar?

Ne nuk mund të sillemi sikur historia nuk ka ndodhur. Nuk mund të harrojmë mijëra civilë shqiptarë të vrarë, të zhdukur e të dëbuar nga Kosova. Nuk mund të harrojmë familjet që ende presin drejtësi dhe fatin e të afërmve të tyre. Kombi ynë është një dhe plagët e Kosovës janë plagë të të gjithë shqiptarëve.

Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e hapur për dialog dhe marrëdhënie të mira me fqinjët, por dialogu nuk do të thotë të harrosh historinë, as të bësh lëshime simbolike pa reciprocitet. Miqësia ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë, jo mbi heshtjen përballë padrejtësive.

Nëse ky lajm është i rremë, institucionet duhet ta përgënjeshtrojnë menjëherë. Nëse është i vërtetë, qytetarët shqiptarë meritojnë një shpjegim të qartë se si ky vendim i shërben interesit kombëtar, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi.

Sepse mbi çdo interes politik të ditës qëndron një detyrim më i madh: mbrojtja e dinjitetit dhe interesit të kombit shqiptar.