Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur zyrtarisht një procedim penal ndaj kompanisë “AlbChrome”, duke vënë në lëvizje organet e drejtësisë për atë që konsiderohet si një nga krizat më të rënda mjedisore në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.
Hetimi vjen pas një investigimi të Kapitalit, i cili ekspozoi përmasat e frikshme të helmimit mjedisor me mbetje të rrezikshme dhe praninë e rreth 320 tonëve pluhur toksik në qiell të hapur. (Lexo ketu investigimin).
Alarm për kancerogjenë në qiell të hapur
Hetimet e prokurorisë mbështeten mbi gjetjet tronditëse të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Sipas dokumentacionit zyrtar, kompania ka depozituar për vite me radhë mbetje industriale të përftuara nga pluhurat e kapëseve të proceseve teknologjike.
Këto mbetje voluminoze janë lënë në mjedis të hapur, pa asnjë masë sigurie dhe në shkelje të plotë të standardeve të administrimit.
Ekspertët e AKM-së i kanë klasifikuar këto substanca si mbetje me rrezikshmëri shumë të lartë, për shkak të pranisë së elementëve potencialisht kancerogjenë që kërcënojnë drejtpërdrejt shëndetin e popullatës dhe banorëve të Elbasanit.
Ngrihet grup i posaçëm hetimor
Me urdhër të drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, çështja po trajtohet me prioritet maksimal. Për të zbardhur skemën e abuzimit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga:
• Tre prokurorë të seksionit përkatës.
• Dy hetues të policisë gjyqësore.
Hapat e parë në terren
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se grupi ka nisur sekuestrimin dhe administrimin e të gjithë dokumentacionit mjedisor dhe lejeve të operimit të kompanisë.
Paralelisht, është urdhëruar kqyrja e imtësishme e vendit të ngjarjes në ish-Metalurgjik me qëllim dokumentimin e plotë të gjendjes mjedisore në terren dhe marrjen e mostrave të mbetjeve toksike./kapitali







